Raporti i MONEYVAL: Shqipëria, pak progres kundër pastrimit të parave

Shqipëria ka bërë pak progres në luftën kundër pastrimit të parave. Konkluzioni është i raportit të Moneyval, mekanizmit të Këshillit të Evropës për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit. Raporti evidenton se vendi ynë vijon të ketë probleme me mungesën e transparencës në vendimmarrje, si dhe pamundësisë për mbikëqyrje të institucioneve financiare dhe aktivitetit të bizneseve.

Shqipëria nuk ka shënuar përmirësime të dukshme në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit. Ky është përfundimi i raportit të Moneyval, mekanizimit të Këshillit të Evropës për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.

Sipas raportit, shtigjet e korrupsionit vijojnë të mbeten aktive kryesisht si pasojë mungesës së transparencës në vendimmarrje, si dhe pamundësisë për mbikëqyrje të institucioneve financiare dhe aktivitetit të bizneseve. Moneyval thekson se iniciativat e ndërmarra nga Shqipëria për të përmbushur rekomandimet e dhëna më herët kanë qenë të kufizuara dhe të pamjaftueshme për të adresuar problematikat e evidentuara.

Tre vite më parë, pas një raport-vlerësimi, Task Forca Financiare e Këshillit të Europës konstatoi një sërë problemesh lidhur me trajtimin e krimit financiar. Në këto kushte, Shqipëria u vendos në një procedurë intensive vëzhgimi dhe iu kërkua të raportonte çdo vit lidhur me progresin që do të bënte në lidhje me rekomandimet e lëna nga organizata ndërkombëtare me fokus pastrimin e parave, FATF.

Në muajin shkurt të vitit të kaluar, Shqipëria u rikthye në “listën gri” të pastrimit të parave, nga e cila kishte dalë në vitin 2015. Task-Forca Financiare e MONEYVAL, që është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës, argumentoi se Shqipëria kishte problematika të shumta lidhur me zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.

I themeluar në vitin 1997, MONEYVAL është një Komitet Ekspertësh mbi Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit. Është një organ i përhershëm monitorimi i Këshillit të Europës, të cilit i është besuar detyra e vlerësimit të pajtueshmërisë me standardet kryesore ndërkombëtare për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, dhe efikasitetin e zbatimit të tyre. MONEYVAL gjithashtu ka detyrën e dhënies së rekomandimeve të autoriteteve kombëtare sa i përket përmirësimeve të nevojshme në sistemet e tyre.