Dy javë pasi i shpëtoi atentatit, shefi i policisë vritet në pritë nga kartelet e drogës

Shefi i Policisë së Sinaloas është vrarë gjatë një prite nga kartelet e drogës, dy javë pasi i kishte shpëtuar një tjetër atentati ndaj tij.

Joel Ernesto Soto po udhëtonte me makinë në një rrugë që lidh qytetet Los Mochis dhe Culiacan, kur persona të armatosur qëlluan me breshëri, duke e vrarë në vend zyrtarin e lartë.

Fotot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë makinën e dalë nga rruga dhe të mbushur me plumba.

Sipas mediave meksikane, atentatorët qëlluan më shumë se 200 plumba drejt makinës, ku Soto udhëtonte i vetëm.

Në Sinaloa vepron Karteli i Sinaloas, që është bashkëthemeluar nga Joaquín ‘El Chapo’ Guzmán, i cili po vuan dënimin në një burg të sigurisë së lartë në Kolorado. Aktualisht, është Ismael “El Mayo” Zambada, i cili nuk është arrestuar kurrë, ai që kontrollon kartelin, së bashku me tre djemtë e tij, që njihen si “Los Chapitos”.