Europa gati të rihapet, certifikata e gjelbër do të lëshohet më 15 qershor

Me gjysmën e popullsisë së rritur, të vaksinuar brenda kësaj jave, Bashkimi Europian sheh për herë të parë me optimizëm sezonin veror. Variantet mbeten ende një rrezik, por deri më tani nuk kanë minuar përpjekjet për të siguruar qytetarët europian dhe për të rinisur aktivitetet ekonomike e sociale. Në samitin dyditor të zhvilluar në Bruksel, krerët e 27 vendeve anëtare mbështetën certifikatën e gjelbër të covidit, e cila mund të lëshohet më 15 qershor.

“Jemi shumë të lumtur për marrëveshjen politike që u arrit javën e kaluar. Qytetarët do të mund të përdorin një certifikatë të njohur në të gjithë bllokun kur të udhëtojnë. Në nivelin e Bashkimit Europian infrastruktura do të jetë gati që në 1 qershor, ndërsa shtetet anëtare do të mund të kenë qasje të drejtpërdrejtë te sistemi nga mesi i qershorit”, deklaroi Ursula Von der Leyen.  

Në samitin e jashtëzakonshëm u vlerësua se situata epidemiologjike është në përmirësim dhe se vaksinimi po ecën me ritme të shpejtë. Von der Lejen beson se para vjeshtës do të jetë vaksinuar 70 për qind e popullsisë së rritur të bllokut.

“Deri në fund të javës 300 milionë doza të vaksinës do të jenë shpërndarë në shtetet anëtare dhe në qershor presim më shumë se 400 milionë doza; Kështu jemi në rrugë të mirë për vaksinimin e 70 për qind të popullsisë deri në fund të korrikut”, vijoi Von der Leyen.  

Pas të rriturve do të jetë radha e adoleshentëve. Në fund të muajit, EMA do të thotë fjalën e saj për përdorimin e vaksinës së Pfizer te grupmoshat 12 deri në 15 vjeç, dhe atëherë do të merret në konsideratë aplikimi i vaksinës në shkollë.