Lufta kundër pastrimit të parave, Besnik Muçi: Raporti i Moneyval konstatoi boshllëqe thelbësore

Në emisionin A2 Business është diskutuar në lidhje me raportin e publikuar së fundmi nga Moneyval (struktura e Këshillit të Europës) për masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Ky raport vlerësoi se Shqipëria nuk ka shënuar progres në luftën kundër pastrimit të parave, duke e renditur atë në listën e vendeve gri.

Ish-përfaqësuesi i Shqipërisë në Moneyval, Besnik Muçi shpjegoi se struktura e Këshillit të Europës ka konsideruar mangësi thelbësore në vendin tonë dhe për këtë arsye ne jemi në monitorim të vazhdueshëm.

“Së pari të jesh në listën gri do të thotë që Moneyval ka konstatuar boshllëqe kryesore, thelbësore të mekanizmit ligjor të shtetit shqiptar kundër pastrimit të parave. Vetëm këto vende futen në listën gri. Në këtë mënyrë ne konsiderohemi vend me monitorim të zgjeruar. Pas publikimit të këtij raporti çdo vendi i lihen detyra.

Ne kemi bërë raporte periodike dhe nuk kemi pasur problematika të caktuara. Në 2018 Moneyval ka konstatuar mangësi në luftën kundër pastrimit të parave. Janë konstatuar mangësi në tre elementë, në kuadrin ligjor, në kornizën institucionale dhe së treti rezultatet e institucioneve”, tha Muçi.