Moneyval për pastrimin e parave, Denaj: Kemi bërë përmirësime ligjore, por duhet kohë

Ministrja e Financave, Anila Denaj, ka komentuar raportin e Moneyval, që i konsideronte të kufizuara masat e marra nga Shqipëria në luftën kundër pastrimit të parave. Në një intervistë ekskluzive për A2, ministrja Denaj deklaron se janë bërë përmirësime ligjore, por duhet kohë. Ministrja sjell rastin e disa prej vendeve të rajonit, që iu është dashur deri në 2 vjet për të dalë nga “lista gri” e vendeve në monitorim intensiv nga Moneyval.

“Moneyval bën vlerësim periodik dhe nuk njeh regres, por koha për të arritur objektivat e vendosura në planin me FATF u duhet gjithë institucioneve për të realizuar pjesën juridike të tyre. Në Ministrinë e Financave është punuar me dy regjistra, derivat i dy ligjeve, pronarët përfitues dhe regjistrat bankarë dhe brenda shtatorit ne do t’i kemi këto regjistra dhe jam e sigurt që vlerësimi i dytë do të jetë më i shtuar dhe përmirësuar. Përmirësime janë bërë pavarësisht nga pandemia dhe vështirësitë. Ky është një vlerësim që i bëhet Shqipërisë për të dalë nga lista gri, për të dalë nga vlerësimi i shkurtit të kaluar, por duhet kohë. Serbisë i është dashur 1 vit e gjysmë për të dalë nga lista. Ka pasur vende edhe me dy vjet”.