Pas takimit me Haradinajn, Kurti takon sot kreun e LDK, Lumir Abdixhiku

KURTI RAMA THACI frame 2213 1100x620

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet sot me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, raportojnë mediat kosovare. Takimi do të zhvillohet në orën 11:00. Ky takim vjen në vazhdën e takimeve që kreu i qeverisë së Kosovës po zhvillon me opozitën. Një ditë më parë, Kurti u takua me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Pas takimit, Haradinaj deklaroi se folën për dialogun e Kosovës me Serbinë.

“Tema ishte dialogu. Me datën 6 maj të këtij viti i kam dërguar një letër Kryeministrit dhe kam kërkuar një takim për çështjen e dialogut, ku i kemi shprehur disa nga shqetësimet tona për dialogun. Në takim kemi dëgjuar disa qëndrime të Kryeministrit rreth dialogut, njëkohësisht kam shprehur disa qëndrime, por edhe shqetësime të Aleancës, rreth dialogut. Ajo që hetojmë është një mungesë e prezencës e SHBA-së në dialog. Mendojmë se kjo është situatë jo e mirë për Kosovën, e prish balancën e interesave të Kosovës në dialog. Do të ishte me dobi emërimi i një emisari për dialogun nga Amerika. Po e shohim se peshën kryesore në dialog e ka Lajçak, por që është nivel i ulët i përfaqësimit për agjendë, pra nuk janë liderët. Nuk shihet një agjendë e plotë”, ka thënë Haradinaj.

Në takimin me Kurtin s’do të marrë pjesë kryetari i PDK-së Enver Hoxhaj. Këtë e ka bërë të ditur vetë ai përmes një statusi në Facebook, ku ka shkruar se i ka dërguar një letër Kurtit për t’i treguar se nuk do të shkojë në takim.