Pastrimi i parave në Shqipëri, Soko: Pa mbështetjen e politikës nuk do të kishte këto përmasa

Eksperti i ekonomisë, Pano Soko u shpreh se mungon vullneti politik për të luftuar pastrimin e parave në vendin tonë.

Sipas Sokos, pa mbështetje politike, pastrimi i parave nuk do të arrinte në nivele kaq të larta.

“Unë do ta nisja pak më thjesht. Ne duhet të kemi në krye njerëz që duan ta luftojnë paranë e pistë. Problemi është që këtu nuk ka vullnet. Këtu nëse nuk vjen dikush me idenë e pastrimit të parave në Shqipëri, atëherë në këtë vend të kesh çfarë do institucioni apo ligji të duash do të vazhdojë të pastrohet paraja.

Praktikisht ne kemi kuptuar që nuk na ka munguar ligji, por na ka munguar dëshira në pjesën më të madhe të rasteve, madje është nxitur e gjitha. Këtë shkallë industriale pastrimi i parave nuk do ta kishte marrë pa mbështetjen e politikës. E ka bekuar politika, qeveria që ka marrë këtë përmasë”, tha Soko.