Bien rastet, por a duhet të nisin fishekzjarret? Fico: Nuk jemi gati, duhet të bëhen hapa të matur

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, u shpreh se pavarisht uljes së shifrave të rasteve të reja me koronavirus dhe lehtësimit të masave, ende nuk mund të themi se kemi shpëtuar nga koronavirusi.

Sipas Ficos kjo lidhet me faktin se bota ende nuk është çliruar nga pandemia dhe me faktin kërkesat për vaksina janë të larta, ndërsa prodhimi nuk është ende ku duhet.

“Vendimi sot i Komitetit Teknik, i diskutuar më gjerë me specialistët e fushave përkatëse tregoi që nuk jemi gati për fishekzjarre. Sepse dhe eksperienca si të Wuhanit të tregojnë se duhet të bësh hapa të vegjël por të matur. Nuk jemi gati të nxjerrim fishekzjarrët e Wuhanit sepse bota nuk është çliruar. E dyta kemi përshirjen e Indisë, Azisë Juglindore, Amerikës Latine të cilat kanë një numër të madh të prekurish nga koronavirusi. Ka shumë kërkesë për vaksinë por prodhimi i vaksinës nuk është aty ku duhet të jetë. Nuk ka garancira të caktuara, jo vetëm lokalisht por dhe më gjerë për të thënë se kemi shpëtuar nga kjo gjë. Nuk kemi frikë nga koronavirusi.”, u shpreh Fico.

Sa i përket rasteve aktive në vend, Fico thotë se janë kryesisht vatra familjare.

“775 raste aktive, janë 29 për 100 mijë banorë. Teorikisht nuk është një numër që të frikëson. Ne kemi thënë që shumica e rasteve janë vatra familjare. Ajo që nuk duhet të bëjmë është të themi erdhën pushimet verore dhe Covidi na la. Stina e verës përveçse Covidit ka sëmundje virale apo bakteriale.”, tha Fico në A2.