Ndryshimet klimatike po rrezikojnë zhdukjen e artit të lashtë

Ndryshimet e klimës po ndikojnë në ekosisteme dhe në fenomene të ndryshme natyrore, por përveç këtyre duket se nga ky shqetësim global po preket edhe arti i shpellave. Pikturat e gdhendura në brendësi të një prej shpellave shkëmbore më të njohura në Indonezi po zhduken me një shpejtësi alarmante, për shkak të efekteve të ndryshimit të klimës.

Studiuesit dhe ekspertët ekzaminuan se nga muret e shpellës ishte fshirë skica e një derri të egër të vizatuar 45 500 vjet më parë në ishullin Sulawesi – që thuhet se është piktura më e vjetër në botë. Motive të tjera, brenda në shpellat e këtij rajoni, që përshkruajnë skena të gjuetisë dhe qenie të mbinatyrshme, gjithashtu janë shkatërruar nën ndikimin e temperaturave shumë të larta. Sipas një ekipi studiuesish australianë dhe indonezianë, temperaturat e rritura dhe ekstreme të tjera të motit – të tilla si ditët e thata të njëpasnjëshme dhe musonet – kanë përshpejtuar grumbullimin e kripërave brenda sistemeve të shpellave. Këto kristale kripe zënë sipërfaqen e artin shkëmbor dhe bëjnë që një pjesë e tyre të shkrihet nga muret e shpellës.

Në një situatë të tillë, vlerësohet se duhet bërë më shumë për të ruajtur artin e paçmuar të shpellave, të cilat dëshmojnë prezencën e vendbanimeve të lashta, por edhe botën shpirtërore të njerëzve në epokat e largëta kohore. Piktura në shpellën e Indonezisë është arti më i vjetër në botë që përshkruan një figurë, por nuk është arti më i vjetër i prodhuar nga njerëzit. Në Afrikën e Jugut, një skicim i krijuar 73 000 vjet më parë besohet të jetë vizatimi më i vjetër i njohur.