Makinat e djegura në krime, rritet numri i vjedhjeve, vështirësohet zbardhja e ngjarjeve

Këto janë pamjet e automjeteve të djegura të përdorura në ngjarje kriminale, kryesisht vrasje. E veçanta e tyre është se pas verifikimit nga policia rezultojnë të vjedhura, kryesisht në zonën e veriut të vendit.

Të dhënat nga Policia e Shtetit tregojnë se vetëm në tre vitet e fundit janë raportuar 648 raste të denoncuara të vjedhjes së mjeteve motorike, të cilat kanë kulmuar në vitin 2019 me 314 të tilla.

Për ish-drejtuesin e Policisë Durrës, Arben Hajdarmataj automjetet e vjedhura, prodhime të viteve të fundit po shfrytëzohen nga grupet kriminale, kryesisht në vrasje pasi pamundësia për të zbuluar përdoruesin e mjetit vështirëson zbardhjen e ngjarjes nga policia e prokuroria.

Të dhënat nga Policia e Shtetit tregojnë e në tre vitet e fundit kanë ndodhur 161 vrasje, nga ku një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë qenë ekzekutime mafioze. Sofistikimi i kryerjes së vrasjeve dhe përdorimi i automjeteve të vjedhura vlerësohen ndër shkaqet që shpeshherë pamundësojnë zbardhjen e këtyre ngjarjeve.