16 të arrestuar dhe 24 të tjerë në kërkim, policia publikon rezultatet e “Agimit” antikanabis

Policia e Shtetit ka njoftuar finalizimin e aksionit antikanabis të koduar “Agimi”, që ka çuar në arrestimin e 16 personave dhe shpalljen në kërkim të 24 të tjerëve.

Operacioni u zhvillua në zonën e Niklës, Halilit dhe Arramerrasit të rrethit Krujë.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:

Finalizohet operacioni policor anticanabis i koduar “AGIMI”

Operacioni i drejtuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Në operacion Renea, FNSH e Tiranës dhe e Fierit dhe DVP Durrës.

Arrestohen 16 persona, shpallen në kërkim 24, si dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë.

Strukturat e Policisë së Shtetit, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin e kultivimit të canabisit kanë zhvilluar me sukses operacionin policor të koduar “Agimi”, në zonën e Niklës, Halil dhe Arramerras të rrethit Krujë.

Bazuar në të dhënat e mbledhura nga monitorimet me drone të kryera nga Policia e Shtetit dhe nga ajëri të kryera me avion nga GDF, si dhe mbi bazën e informacioneve policore të marra më parë, shërbimet e policisë kanë kontrolluar sera, magazina, banesa e zona të pyllëzuara.

Si rezultat u sekuestrua një laborator që shërbente për kultivim të bimëve narkotike me anë të ngrohjes me llampa, kubikë dhe fidanë canabis, 5 automjete dhe prova të tjera materiale.

Janë vënë në pranga për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” në bashkëpunim, shtetasit Xhavit Kullaj dhe Dashamir Kullaj, banues në Halil, (babë e bir) pasi gjatë kontrollit të ushtruar në pronën e tyre, u konstatua një laborator që shërbente për kultivim të bimëve narkotike me anë të ngrohjes me llampa.

Gjatë operacionit policia gjeti fidanë canabis të kultivuar në sera dhe në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit Asllan Deliu, 27 vjeç, banues në Nikël; Marsel Loci, 20 vjeç, banues në Larushkë;
Eldi Kaceli, 18 vjeç, banues në Qerekë; Indrit Kullaj, 33 vjeç, banues në Arrameras; Dashamire Deliu, 49 vjeçe, banuese në Nikël; Musait Vathi, 16 vjeç, banues në Halil; Ferit Kullaj, 34 vjeç, banues në Halil; Erlind Almeta, 30 vjeç, banues në Halil; Fetije Kullaj, 56 vjeçe, banuese në Halil; Refik Deliu, 53 vjeç, banues në Halil; Erjon Deliu, 26 vjeç, banues në Halil.

Në pranga janë vënë edhe kryeplaku i fshatit Halil, shtetasi Flamur Halili, 61 vjeç.

Si dhe dy punonjës të OSHEE, shtetasit Ervin Perlica, 32 vjeç, dhe Sokol Kullaj, 32 vjeç, banues në Halil për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shkak të moshës i shtetasve:
E.L., 17 vjeç, banues në Larushk; G.C., 70 vjeç, banues në Halil, Kryeplak i fshatit Halil dhe H.Xh., 78 vjeç, banues në Halil, kryeplak i fshatit Nikël.

Janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e 24 shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë në aktivitetin kriminal të sipërpërmendur.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme.