Përralla e fabula, si dhurata për fëmijët

Imagjinoni një botë magjike, me siguri do të jetë një kohë përrallash, pushimesh apo festash. Në fillim të vitit pedagogia Persida Asllani prezantoi magjinë e festive që sjell babagjyshi i vitit të ri, por kostumin e rrëfimtares e ka veshur sot edhe Anila Mullahi, pedagogja e letërsisë së huaj në fakultetin e Filologjisë në Tiranë.

Dhe me 12 përrallat e saj na çon në një botë magjike, atë të Henrit me flokë të arta.

Anila Mullahi

“Nuk më kishte shkuar në mendje të shkruaja përralla. Me lindi nga dashuria për një fëmijë të quajtur Henri. Kush shkruan përralla duhet të jetë i besueshëm, sepse ato kanë një sens të lartë të moralit. U përpoqa që me këto përralla të nxis fëmijët të braktisin komoditetet dhe t’i futen aventurave, si dhe një mendim kritik për botën”, thotë Mullahi.  

 “Në botën magjike të Henrit” vjen me ilustrime plot ngjyra që do të shoqërojë imagjinatën e një fëmijë 4 vjeç, por që padiskutim mund të jenë një arratisje edhe për të rriturit. Këto përralla janë një shkëputje nga teknologjia që sot na ka rrokur jetën.

” Libri i minifabulave” nga Moikom Zeqo

Kështu na prezantohen fabulat e gjyshit Moikom, atij eruditi që të gjithë e njihnim si Moikom Zeqo. Pasuria që ka lënë është e madhe, por këto minifabula vijnë si një thesar për më të vegjlit.

Ndonëse këtë pranverë botohen si një dhuratë për mbesën e gjysh Moikomit, Pandorën e vogël, këto minifabula vijnë si vjersha të bukura për të gjithë ato fëmijë që jetojnë si Pandora jashtë kufijve, por duan të kenë vargje nga gjuha shqipe për ta mësuar atë bukur. Minifabulat janë shkruar më herët dhe këto janë vetëm pak nga ato që do të botohen.