Berisha “non grata” nga SHBA, drejtori i “Konrad Adenauer”: Kjo nuk është një çështje që i përket PD

Ata thonë që ky fondacion gjerman ka për mision t’i japë formë të ardhmes përmes lëvizjes së njerëzve. E si? Në 120 vende të botës, listë kjo ku hyn edhe Shqipëria, kontributi i tyre investohet në drejtim të nxitjes së demokracisë, shtetit të së drejtës dhe ekonomisë sociale të tregut.

Fondacioni “Konrad Adenauer” ka mbështetur duke i dhënë frymëmarrje intensivisht dialogut politik të jashtëm dhe komunikimit mes kulturave e besimeve fetare. Interesi? Paqja dhe Liria. Se ku është orientuar influenca e tyre në raport me Shqipërinë dhe çfarë qëndrimesh kanë në raport me zhvillimet politike e aspiratat evropiane të vendit tonë foli në Ditarin e orës 13:00 në A2, drejtori ekzekutiv i këtij fondacioni, Tobias Ruttershoff.

Sa i përket zgjedhjeve të 25 prillit, ai u shpreh se duhet pritur raporti i ODIHR-it, ndërsa theksoi se PD-ja duhet të jetë një opozitë e fortë në Parlament.

“Ne i kemi ndjekur zgjedhjet. Shikojmë një farë drite, por edhe hije. Dita e zgjedhjeve ishte e qetë. Çfarë nuk është e mirë janë raportet e parregullsive që kemi parë, si blerjet e votës, presionet dhe legalizimet e shtëpive. Inkurajoj të gjitha palët politike dhe shumë aktorë të tjerë që të kenë mundësi të ndëshkohen për atë që kanë bërë. Ne duhet të shikojmë se çfarë vjen zyrtarisht nga raporti i ODIHR-it. Ne do të vlerësojmë nga afër edhe akuzat e ngritura nga PD-ja. Duhet të shohim të gjithë pamjen e zgjedhjeve. Duhet të ketë procesime penale. PD-ja në parlament duhet të jetë një opozitë e fortë dhe këtë duhet ta bëjë në parlament. Kam dëgjuar Bashën që thotë se nuk i pranon zgjedhjet, megjithatë ata do të shkojnë në parlament dhe kjo mendoj se është mendësia e duhur.

Ruttershoff u pyet edhe për zgjedhjet në PD, të cilat do të mbahen më 13 qershor. “Kam pasur kontakte me të gjithë kandidatët në të kaluarën. Ata janë kandidatë të besueshëm. Të gjithë kanë përvojë shumë të mirë. Është një shans i mirë për partinë dhe tani i takon bazës për të zgjedhur. Ne duhet të qëndrojmë neutral. Ne kemi punuar me strukturën dhe do të vijojmë të punojmë.

Sa i përket shpalljes “non grata” nga SHBA-ja të Sali Berishës, Tobias Ruttershoff, u shpreh se kjo është një çështje private e tij. “Për ne është herët që të flasim se çfarë po ndodh dhe na nevojitet më shumë kohë që ta dimë. Sigurisht që nuk duhet të harrojmë arritjet e Berishës në të kaluarën, ka futur Shqipërinë në NATO dhe procesi i integrimit. Është një sinjal i fortë nga SHBA-ja. Ne do të shikojmë se cilat do të jenë pasojat, por nuk mendoj se kjo është një çështje e vetë PD-së. Kjo është një çështje private e tij. Është e drejtë e prokurorisë të shikojë faktet. Edhe kryeministri i Austrisë ka disa akuza të ngritura ndaj tij, derisa të shkosh në gjyq e të shpallesh fajtor, deri atëherë është vetëm i akuzuar”.

Procesi i integrimit

“Në një kohë të shkurtër apo të gjatë, Shqipëria do të jetë pjesë e BE-së sepse jeni të rrethuar nga vende të BE. Ka disa rezervime nëse shikon vetëm situatën në Shqipëri, por edhe disa përvoja të kaluara. Ne kemi edhe kushtet e BE-së, të cilat janë të qarta dhe të pranuara nga politikanët shqiptarë, nga të dyja spektret. Tani duhet të shikojmë si është gjendja e këtyre kushteve. Për mua janë dy çështje që na duhen më shumë përgjigje, për ligjin, për median dhe korrupsioni. Prandaj ligjet janë përshtatur, pasi janë ligje të vetë BE-së. Ne po shikojmë edhe kushtet e mëtejshme. Procesi është i qartë.

Situata midis Bullgarisë dhe Maqedonisë është i kuptueshëm. Ne nuk duam të kemi ndarje, por sa i përket Shqipërisë kushtet janë thuajse të plotësuara, por këtu duhet të theksojmë ligjin për mediat dhe luftën ndaj korrupsionit, të cilat duhen parë pak më thellë”.

Procesi i shkarkimit të presidentit

“Po ndodh një proces i dytë ndaj presidentit. Në pikëpamjen time është paksa politike, pasi mund të presësh deri në vjeshtë, pse ta bësh tani? Megjithatë, është Gjykata Kushtetuese për të vendosur. Është interesante për të parë se si kjo çështje do të shqyrtohet nga gjykata e re. Ne duam një Kushtetuese funksionale”.