Cavusoglu në Athinë, arrihet marrëveshje për njohjen reciproke të vaksinave

Greqia dhe Turqia arrijnë marrëveshje për njohjen reciproke të vaksinave të përdorura në të dyja vendet, çka do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të vaksinuar.

Turqia po përdor vaksinat kineze dhe ruse për imunizimin masiv të popullsisë. Marrëveshja u arrit gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, në Athinë, që synon zbutjen e tensioneve mes dy aleatëve të NATO-s.

Ai u takua të hënën me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis dhe ministrin e Jashtëm Nikos Dendias. Në fokus të bisdimeve, sipas zyrtarëve grekë, ishin përgatitjet për një takim të mundshëm mes Mitsotakis dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan muajin e ardhshëm.

Zyrtarët thanë se bisedimet u zhvilluan në një klimë pozitive. Vizita në Athinë vjen pas një ndalese private në rajonin verilindor të Thrakisë ditën e diel, ku Cavusoglu zemëroi Greqinë pasi tha se anëtarët e një pakice myslimane në Greqinë veriore janë turq dhe se ata nuk gëzojnë të drejtat e plota qytetare.