Çështja “Becchetti”: Shqipëria sërish në arbitrazh, kërkon korrigjim të vendimit

Qeveria e Shqipërisë ka vendosur të luajë edhe “gurin e fundit” në procesin gjyqësor kundër investitorit italian Francesco Becchetti, çështje e cila prej gjashtë vitesh vijon të zhvillohet në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve.

Në 26 maj 2021, në gjykatën ndërkombëtare ICSID, e cila trajton mosmarrëveshjet e investimeve, nëpërmjet Avokaturës së Shtetit, Shqipëria ka paraqitur një kërkesë për rishikim të vendimit të marrë nga kjo gjykatë në fillim të prillit të këtij viti, masë e cila detyron Shqipërinë që të dëmshpërblejë me rreth 110 milionë euro investitorin italian, Becchetti. Për juristin Fatos Lazimi, anëtar i Anëtar i Gjykatës së Arbitrazhit “ICC”, hapi procedural i marrë nga Qeveria e Shqipërisë nuk pritet të prodhojë ndryshime thelbësore në vendimin e marrë më herët nga komisioni “ad hoc” i ICSID.

Kryeministri Edi Rama, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, duke e akuzuar si “marifetçi”, tha se në fund të procesit, Beccheti nuk do marrë asgjë nga Shqipëria. Por, Lazimi ka një tjetër qëndrim lidhur me sjelljen që duhet mbajtur, sidomos në rastet e vendimeve të formës së prerë të marra nga Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve. Shqipëria, sipas një raporti të vitit2019 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, bazuar tek të dhënat e Avokaturës së Shtetit, ka humbur së paku 10 procese gjyqësore në Gjykatat e Arbitrazhit Ndërkombëtar, dekadën e fundit. Në vlerë monetare këto humbje përkthehen në qindra milionë euro dëm për Buxhetin e Shtetit.