“E kam qëlluar katër herë, por vetëm një plumb e ka kapur”, autori i vrasjes në Shkodër tregon versionin e tij të ngjarjes

“E kam qëlluar katër herë por vetëm një plumb e ka kapur” autori i vrasjes në Shkodër tregon versi 1100x620

Gjykata e Shkodrës la në burg Mark Kodrën, të akuzuar për vrasjen e Emiljano Ndout në fshatin Bardhaj, pak ditë më parë. 47-vjeçari Kodra nuk kishte marrë avokat mbrojtës, për këtë arsye seanca nisi me vonesë deri sa gjykata njoftoi një avokat të gatshëm duke e caktuar kryesisht.

Në sallën e gjyqit, Kodra, edhe pse jo drejtpërdrejtë, ka lënë të kuptohet se është ai autori i vrasjes, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 28 majit në fshatin Bardhaj. “Ajo punë ka ndodh. Çfarë është bërë, është bërë”, ka deklaruar para gjykatës 47-vjeçari.

Pas arrestimit për vrasjen e 25-vjeçarit, Kodra ka deklaruar në polici se konflikti me viktimën kishte një vit që kishte filluar.

Disa herë palët kanë debatuar për të mbërritur te mbrëmja e 28 majit, kur 47-vjeçari është shprehur se ka marrë armën automatik kallashnikov dhe pasi ka dëgjuar 25-vjeçarin se po vinte me motorin, e ka qëlluar nga oborri i tij.

“E kam qëlluar katër herë, por vetëm një plumb e ka kapur. Përveçse është konfliktuar me mua më ka rrahur edhe djalin. Disa herë i kemi thënë, por ka vijuar sërish dhe më pas nuk ka duruar më sepse na e kishte sjellë te hunda dhe kam marrë armën për ta qëlluar”, mësohet të ketë treguar Kodra, duke mos shfaqur pendesë për vrasjen e 25-vjeçarit.

Dyshimet se vrasja ka ndodhur për shkak se viktima ka ngacmuar vajzat e autorit, bashkëshortja e tij, Bukuroshe Kodra, i hodhi poshtë plotësisht, duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me vajzat e saj.