Kosovë-Serbi, Nexhmedin Spahiu: Marrëveshje brenda vitit, ose mund të ikë mundësia. Njohja reciproke, mashtrim për opinionin publik

Analisti Nexhmedin Spahiu mendon se zhvillimet e këtyre orëve në Prishtinë, ku pas takimit të Andrew Palmer dhe Miroslav Lajcak me Albin Kurtin, i paraprin lajmit se kryeministri kosovar do të takohet në qershor me presidentin serb Vucic për të rifilluar dialogun e ndërprerë, nuk vijnë rastësisht.

“Është moment i përshtatshëm për njohje me anë të një marrëveshje. Momenti është oportun për faktin se Biden në letrën e dërguar Vucic kërkon njohjen e Kosovës, dhe nuk ka për momentin vatra të tjera të rëndësishme në botë që të tërheqin vëmendjen nga ky dialog. Besoj se Serbia një ditë do ta njohë Kosovën, kjo është e pashmangshme. Ajo po përpiqet ta shesë sa më shtrenjtë e mundur. Nëse nuk bëhet tani, brenda vitit, mundësia mund të ikë për shumë kohë. Dhe nuk dihet nëse pazari më vonë do të jetë më i keq për ne apo për Serbinë. Ndoshta Serbia do te detyrohet të na njohë pa asgjë në këmbim, por ndoshta mund të kërkojë edhe më shumë”, thotë ai i ftuar në Absolut 4.

Disa terma, sipas tij, gjithsesi nuk shkojnë dhe vijnë si mashtrim për opinionin publik.  

“Ka një vetëmashtrim nga një gabim i administratës amerikane që futi në gojën e Trump dhe Biden fjalën njohje reciproke. Por Kosova e ka njohë Serbinë që në momentin e shpalljes të pavarësisë së saj, ku i ka bërë ftesë Serbisë për marrëdhënie të mira fqinjësore. Beogradi kërkon diçka në këmbim , dhe përpiqet që ajo të jetë sa më e madhe. Por Kurti është i vetëdijshëm që nuk mund të japë as gjënë më të vogël pa njohjen esplicite, kjo është shumë e rëndësishme sepse njohja esplicite do të pasonte edhe njohjen e 5 vendeve të BE dhe anëtarësimin e Kosovës në të gjitha institucionet ndërkombëtare.

Pastaj dialog mes dy vendeve do të ketë edhe në të ardhmen, mbeten vende fqinje, madje mund të ketë edhe luftë sërish, nuk përjashtohet” , thotë Shehu.