Kosovë – Serbi, rikthim në dialog?

Rifillimi i dialogut Prishtinë-Beograd, Jeta Krasniqi: A do ta njohë Serbia Kosovën?

Rifillimi i dialogut Prishtinë-Beograd do të nisë brenda muajit qershor. Ka qenë kryeministri i Kosovës ai që ka njoftuar këtë lajm pas takimit me përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së në Kosovë. Por si e shohin analistët dhe politikanët këtë vendim, në një kohë kur qeveria Kurti  nuk e kishte prioritet të listës së saj dialogun me Serbinë?

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës u shpreh në studion e “Absolut 4”, se rifillimi i dialogut Prishtinë Beograd është pozitiv, por kërkon bashkërendim të brendshëm.

“Ky është moment i veçantë se presim rifillimin e dialogut me ndërmjetësimin e BE dhe qartësim të qeverisë së Kosovës ndaj këtij procesi dhe e shkuara e saj si parti jo gjithnjë ka qenë në mbështetje të dialogut dhe kemi një administratë të re amerikane. Mesazhi është pozitiv dhe kjo kërkon bashkërendim të brendshëm”. (për më shumë)

“Kurti i është shmangur dialogut nga frika e marrëveshjes me kosto politike”, Çejku: Serbia të hapë një kapitulli të ri me Kosovën

Paraqitja e dy përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE në Kosovë është një lloj presioni si për Prishtinën dhe Beogradin për të mos anashkaluar nisjen e bisedimeve. Kështu e sheh ish-ambasadori Arben Çejku vizitën e zëvendës ndihmës sekretarit të shtetit amerikan, Matthew Palmer dhe përfaqësuesit të posaçëm të BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak në Kosovë. Sipas tij Kurti i është shmangur dialogut edhe nga frika e ndonjë marrëveshje që mund të kishte kosto politike.

“Vështirësia është tek ata që do të ulen në bisedime. SHBA dhe BE janë lehtësues e inkurajues të dialogut, paraqitja dhe vizita simbolike është një presion që tregon se nuk ka hapësira mes BE e SHBA që mund të shfrytëzohen për të anashkaluar hyrjen në dialog. Kurti i është shmangur dialogut edhe nga frika e ndonjë marrëveshje që mund të kishte kosto politike. Kjo tregon që lista e prioriteteve e qeverisë Kurti është përmbysur. Dialogu që ishte i shtati, kalon i pari dhe zhvillimi i Kosovës nuk mund të bëhet i izoluar”. (për më shumë)

Dialogu Kosovë-Serbi, Jeta Krasniqi: Duhet të ketë një kufi në atë që i kërkohet Kosovës

Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, u shpreh në studion e “Absolut 4” në A2 se “duhet të ketë një kufi në atë që i kërkohet Kosovës”.

“Kemi vite që dëgjojmë që Kosova duhet t’i japë diçka Serbisë për njohjen, që duhet të ketë një pazar me patjetër. Shtrimi i çështjes në këtë mënyrë, e vendos Kosovën në disavantazh. Kosova është krijuar si shtet në bazë të kompromiseve. Tani jemi në proces të ri dhe e dimë se në negociata ka kompromise, por duhet të ketë një kufi në atë që i kërkohet Kosovës”, tha Krasniqi. (për më shumë)

Tomor Avdia: Platforma e Macron ka kusht asosacionin e komunave serbe në këmbim të njohjes nga Greqia

Për gazetarin Tomor Avdia vizita e përfaqësuesve të SHBA dhe BE është një harmonizimin që nuk është parë në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tij vitet e fundit ka qenë një garë mes administratës Trump dhe BE. Në studion e “Absolut 4″ai tha se veprimet e tyre janë në unison, por pritet të shihet sa e përgatitur është pala kosovare.

“Kjo i kthen palët në tryezën e bisedimeve. Ky është harmonizim që nuk është parë vitet e fundit se ka qenë një garë mes administratës Trump dhe BE. Trump ka finalizuar disa marrëveshje që janë mbështetur edhe nga administrata Biden. Edhe me buxhetin prej 200 milionë dollarësh, shihet si kërkesë e plotësuar. Partitë opozitare kanë kërkuar duhet të jenë të përfshira SHBA në dialog dhe të kenë rol ndërmjetësues e lehtësues. Por në këtë kontekst tregon unison të veprimeve por sa e përgatitur është pala kosovare kjo pritet të shihet”. (për më shumë)

Çejku: Dialogu ka rrëzuar disa qeveri në Kosovë, mund të rrëzojë edhe këtë

Ish-ambasadori shqiptar në Prishtinë, Arben Çejku, theksoi në studion e “Absolut 4” në A2, rëndësinë që ka për Kosovën dialogu me Serbinë. “Kosova është e pavarur, por ka sovranitet të pamjaftueshëm. Sovranitetin ia bën të pamjaftueshëm mosnjohja nga 5 vende anëtare të BE-së, më pas nga vendet e tjera që me njohjen e tyre do të lejonin Kosovën të bëhej anëtare e OKB-së.

Kjo mungesë sovraniteti ka cenuar edhe çështje të integritetit të brendshëm. Sa më shumë të zgjatet çështja e dialogut me Serbinë, aq më keq është për Kosovën. Pasi Serbia e ka shtetin e vet dhe e ka bërë rrugëtimin e saj, ndërsa Kosovës nuk i pret puna. Dialogu ka rrëzuar disa qeveri njëra pas tjetrës. Edhe këtë qeveri që është tani, mund ta rrëzojë ky dialog. Qeveria Kurti është e brishtë dhe e çorientuar lidhur me dialogun. Ende nuk do që ta shohë si prioritet këtë “patate të nxehtë”, që populli i Kosovës kërkon që ta heqë sa më shpejt nga duart”, deklaroi Çejku. (për më shumë)

Kosovë-Serbi, Nexhmedin Spahiu: Marrëveshje brenda vitit, ose mund të ikë mundësia. Njohja reciproke, mashtrim për opinionin publik

Analisti Nexhmedin Spahiu mendon se zhvillimet e këtyre orëve në Prishtinë, ku pas takimit të Andrew Palmer dhe Miroslav Lajcak me Albin Kurtin, i paraprin lajmit se kryeministri kosovar do të takohet në qershor me presidentin serb Vucic për të rifilluar dialogun e ndërprerë, nuk vijnë rastësisht.

“Është moment i përshtatshëm për njohje me anë të një marrëveshje. Momenti është oportun për faktin se Biden në letrën e dërguar Vucic kërkon njohjen e Kosovës, dhe nuk ka për momentin vatra të tjera të rëndësishme në botë që të tërheqin vëmendjen nga ky dialog. Besoj se Serbia një ditë do ta njohë Kosovën, kjo është e pashmangshme. Ajo po përpiqet ta shesë sa më shtrenjtë e mundur. Nëse nuk bëhet tani, brenda vitit, mundësia mund të ikë për shumë kohë. Dhe nuk dihet nëse pazari më vonë do të jetë më i keq për ne apo për Serbinë. Ndoshta Serbia do te detyrohet të na njohë pa asgjë në këmbim, por ndoshta mund të kërkojë edhe më shumë”, thotë ai i ftuar në Absolut 4. (për më shumë)

Behlul Beqaj: Bashkësia e komunave serbe duhet të shtrohet në tryezën e bisedimeve. Kurti të harrojë të kaluarën

Përfshirja e SHBA-së dhe BE-së në një veprim unik në dialogun Prishtinë-Beograd kërkon kompromis unifikues të të gjitha palëve që janë në proces dialogimi. Kështu u shpreh në studion e Absolut 4, politologu Behlul Beqaj. Sipas tij qeveria Kurti është e paorganizuar për një energji unifikuese të brendshme

“Asnjëherë deri më sot SHBA kanë qenë të përfshira në dialog po këtë herë kemi veprim unik e simultan me BE dhe fakti që po veprohet në mënyrë unike besoj që është sinergji që dialogut i jep dinamikë që kërkon kompromis unifikues të të gjitha palëve që janë në proces dialogimi.  Është fakt që qeveria e Beogradit e ka pushtetin përmes së cilit mund të marrë vendime të jashtëzakonshme duke bërë njohjen e Kosovës. Por Vuçiç und të arrihet një kompromis por jo njohje e Kosovës dhe ideja e tij ka të bëjë me marrëveshje që nënkupton normalizimin e marrëdhënieve por jo njohje reciproke. Është fakt që fitorja plebicitare e Vetëvendosjes mund të arrijnë mundësinë e ratifikimit të një marrëveshjeje. Por nuk kemi atë unifikim që ka arritur SHBA dhe BE në lidhje me dialogun. Qeveria Kurti është e paorganizuar për një energji unifikuese të brendshme”. (për më shumë)