Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Lajçak dhe Palmer në Prishtinë, takohen me Osmanin dhe Kurtin për rinisjen e dialogut

Nga A2 CNN
31 Maj 2021, 18:47 | Kosova
Lajçak dhe Palmer në Prishtinë, takohen me Osmanin dhe Kurtin

Dialogu me Serbinë i solli dy zyrtarët ndërkombëtarë në Kosovë. Zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit Amerikan, Matthew Palmer, bashkë me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Europian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, zhvilluan një sërë takimesh në kryeqytet.

Presidentja Vjosa Osmani i priti ata në zyrë, ndërsa fokusi i bisedës ishte tek rifillimi i bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Palmer dhe Lajçak u pritën edhe nga kryeministri, Albin Kurti. Kjo konfirmon, edhe pse jo zyrtarisht, se biseda ishte lidhur me përgatitjen e takimit të parë mes shefit të qeverisë së Kosovës dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiç.

“Ambasadori Kosnett mirëpriti zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit, Matthew Palmer, për një vizitë tri ditore në Kosovë për të diskutuar me zyrtarët e Kosovës për sfidat, mundësitë dhe çështjet e ngutshme që ballafaqohet Kosova”, njoftoi ambasada e SHBA në Prishtinë.

 Vizita e përbashkët e Lajçakut me Palmerin në Kosovë, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, bëhet edhe për të përcjellë mesazhin se SHBA dhe BE-ja do të bashkëpunojnë ngushtë sa i përket dialogut dhe kanë qëllime të ngjashme për rajonin e Ballkanin Perëndimor. Një kërkesë, e cila u parashtrua sërish nga liderët e partive opozitare gjatë takimit me zyrtarin e administratës amerikane.

Lidhja Demokratike e Kosovës: “Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimin ekonomik dhe nevojën që SHBA-ja të ketë rol të fuqishëm në dialog.”

Partia Demokratike e Kosovës: “Kryetari Hoxhaj ka sqaruar pozicionin e PDK-së në raport me zhvillimet politike, dhe ka kërkuar një rol më të madh dhe të drejtpërdrejt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog si partner strategjik i Kosovës.”

Palmer u takua dhe me përfaqësues të Listës Serbe, të cilët kërkuan rifillimin e dialogut, zbatimin e disa marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht atë të Asociacionit të Komunave Serbe, ndërsa kanë folur edhe për Kishën Ortodokse Serbe dhe për situatën e sigurisë në Kosovë.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani