“Masakra zgjedhore” sipas PD-së. Pas KAS dhe Kolegjit Zgjedhor, çfarë ka tjetër?

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, deklaroi në studion e “Ditari” në A2 se “Kolegji Zgjedhore gjykoi brenda vetëm 30 minutash se asnjë nga kërkesat tona nuk kishte mbështetje në ligj dhe prova”.

“Kemi çuar 22 prova në mbështetje të kërkesave tona dhe kemi kërkuar që të administroheshin 19 prova të tjera. Ishin 2 orë e gjysmë parashtrime nga 3 subjekte dhe vetëm 30 minuta për të marrë vendimin”, tha Kaso.

“Shkeljet që kemi evidentuar ne prekin fushën penale dhe fushën kushtetuese, siç është mohimi i të drejtës së votës së personave që jetojnë në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut. Do të eksplorojmë edhe mundësinë e Gjykatës Kushtetuese, bashkë me mundësi të tjera”, shtoi Kaso.

Sot, opozita pësoi disfatën e parë ligjore për 25 prillin. Trupa prej pesë gjyqtarësh në Kolegjin Zgjedhor vendosi të hedhë poshtë pretendimet e Partisë Demokratike për masakër elektorale në Qarkun Gjirokastër.

Dy orë parashtrime dhe 30 minuta në dhomë këshillimi, nuk ishin të mjaftueshme që gjyqtarët ta anonin peshoren e drejtësisë në krahun e opozitës, që kërkonte pavlefshmëri të procesit.