Shkarkimi i presidentit, Balla: Nevojë për të çliruar Presidencën nga pengmarrja

31 MAJ 2021 KLEVIN KRYESIA KUVEND frame 18887 1100x620

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, doli në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ku konfirmoi edhe njëherë se seanca për shqyrtimin e raportit të komisionit hetimor për shkeljet e kreut të shtetit do të mbahet më 9 qershor.

Taulant Balla tha mes të tjerash se iniciativa për shkarkimin e presidentit erdhi si pasojë e nevojës për të çliruar këtë institucion të rëndësishëm nga pengmarrja dhe abuzimi me detyrën.

“Sapo kemi përfunduar konferencën e kryetarëve ku jemi njohur me raportin e paraqitur nga komisioni hetimor për verifikimin e shkeljeve nga presidenti Është një raport konsistent prej 100 faqesh dhe që natyrshëm deputetët do të marrin kohën e duhur për ta shqyrtuar. Kemi rënë dakord që seanca për shqyrtimin e raportit dhe më pas votimin të mbahet më 9 qershor, ku kemi darkordësuar dhe kohën për diskutim të deputetëve për të vijuar me procedurën e shkarkimit.

Iniciativa për shkarkimin e presidentit ka ardhur si një nevojë për të çliruar presidencën nga një pengmarrje dhe nga një abuzim i patolerueshëm me detyrën. Procedura për presidentin e ri do të kërkojë kohën e vet dhe pse jo të jetë pjesë e një pakete bashkëpunimi me opozitën e re që do të kthehet në kuvend më 9 shtator”, tha Balla.