Bashkitë gjatë 2020, pandemia zbuloi aftësinë e dobët për të përballuar krizat

Covid-19 nxori zbuluar aftësinë e dobët të pushtetit vendor në përballimin e krizave. Rënia ekonomike u pasqyrua menjëherë në bilancet e bashkive, ku të ardhurat që ato mbledhin vetë nga taksat dhe tarifat vendore ra me 5.3%, në 24.2 miliardë lekë. Rënia e fortë e burimeve të veta vendore u shënua në Bashkinë Lezhë, që grumbulloi 57.3% më pak të ardhura.

Pushteti vendor përdori fondet e transferuara nga qeveria për të kompensuar këto humbje.

Me shtimin e kontributit nga qeveria, burimet financiare totale në dispozicion të bashkive për vitin 2020 regjistruan një vlerë prej 90.9 miliardë lekë, në rritje me rreth 11.6% krahasuar me një vit më parë.

Por edhe pse me më shumë para në dispozicion, pjesa më e madhe e rritjes shkoi për dyfishimin e pagesave për ndihmën ekonomike dhe paaftësinë, si masë për të zbutur rritjen e varfërisë gjatë pandemisë.

Investimet publike u panë si zëri i parë për t’u shkurtuar gjatë 2020-s, ndërsa shpenzimet për personelin dhe shpenzimet operative vijuan të mbajnë një peshë të jashtëzakonshme dhe shpeshherë në rritje. Kështu shpenzimet për materiale zyre, për shërbime nga të tretë, shpenzimet e transportit dhe për mirëmbajtje u rritën.

Në rritje po ashtu edhe numri total i punonjësve në 61 bashkitë në vend, që arriti në afërsisht 34 047 të punësuar, 2.7% më shumë krahasuar me një vit më parë (apo rreth 901 punonjës më shumë).

Varësia ende e lartë nga fondet e buxhetit, pavarësisht taksave të rritura; struktura e shpenzimeve dhe pamundësia financiare për të ushtruar kompetencat e bashkive, konsiderohen nga ekspertët në kundërshtim me atë çfarë u synua me reformën administrative territoriale.