Denoncimi për inceneratorët, Zhupa dhe Këlliçi përfundojnë në gjykatë për shpifje: Po synojnë të tërhiqemi nga beteja

Ina zhupaaa 1100x620

Ina Zhupa dhe Belind Këlliçi, të dy nga Partia Demokratike, janë paraqitur këtë të martë në gjykatë, aty ku janë paditur nga Mirel Mërtiri për akuzat e ngritura nga PD për aferën e pretenduar të inceneratorit të Tiranës.

Pas mbajtjes së seancës, Zhupa u shpreh se Mërtiri nuk është paraqitur në sallën e gjyqit, ndërsa theksoi se padia ndaj tyre është bërë që të tërhiqen nga beteja e tyre.

“E gjithë kjo padi është bërë që ne të trembemi, që ne të tërhiqemi nga beteja përballë atyre që zotërojnë inceneratorin e Tiranës, por edhe zyrtarëve të lartë publik që ua kanë dhënë inceneratorin e Tiranës, por as unë dhe as Këlliçi, as partia politike që ne përfaqësojmë nuk kemi ndërmend të tërhiqemi nga beteja për të mbrojtur interesin e qytetarëve. Do të qëndrojmë përballë. Do të themi të vërtetat gjithë kohës. E kemi çuar këtë çështje për padi edhe në SPAK dhe do të jetë SPAK-u që do ta gjykojë edhe më thellë çështjen e inceneratorit të Tiranës, inceneratorit të Fierit, por edhe inceneratorin e Elbasanit. Çdo ditë bashkia e Tiranës paguan për inceneratorin e Tiranës 650 tonë mbetje, pavarësisht punës që bëjnë. Ne deri më sot kemi paguar 23 milionë euro në kontot e inceneratorit, që nuk ekziston të Tiranës. Çdo vit parashikohet që do të paguajmë 6.8 milionë euro, po për inceneratorin e Tiranës”, u shpreh Ina Zhupa.

Më tej, ajo theksoi se asgjë nuk është personale me Mirel Mërtirin. “Ne do të qëndrojmë. Sot ishte seanca e dytë. Do të kemi edhe përballje të tjera me z.Mërtiri, i cili na ka hedhur në gjyq, duke gjykuar se ne kemi shpifur. Ndërkohë që ne po themi të vërtetat dhe nuk kemi asgjë personale me z.Mërtirin, as nuk e njohim personalisht, as nuk kemi interes personal, por kemi thjesht interesin publik të çështjes së inceneratorëve të Tiranës”.