Dezinsektimi në zonat turistike, Manastirliu në Shëngjin: Do të kemi sezon të sigurt, do të vijojë deri në tetor

dezinsektimi 1100x620

Programi kombëtar i dezinsektimit po shtrihet në të gjithë zonat turistike, për një sezon më të sigurt e të shëndetshëm. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, deklaroi se falë këtij programi kombëtar, do të kemi një sezon turistik të sigurt, si edhe do të parandalohen sëmundjet infektive që vijnë nga mushkonjat.

“Kemi filluar tashmë prej disa javësh me monitorimin e zonave, por edhe ka filluar procesi i dezinsektimit nga Shkodra, në Lezhë, Tiranë, Durrës dhe duke zbritur në Kavajë, në Vlorë edhe deri në Sarandë, për të parandaluar dhe për të kontrolluar sëmundjet infektive që vijnë nga mushkonjat. Por mbi të gjitha edhe për të siguruar shëndetin publik dhe sigurisht edhe për zonat turistike, që i japin patjetër një siguri më shumë edhe të gjithë sezonit turistik”, deklaroi Manastirliu.

Nga Shëngjini, ku ndoqi nga afër këtë proces Manastirliu tha se dezinsektimi do të vijojë gjatë gjithë verës deri ën tetor.

“Janë vlerësuar habitatet dhe përcaktimi i lëndëve biocide që përdoren dhe vijon dezinsektimi i këtyre zonave, ashtu sikurse ka filluar, edhe përgjatë gjithë verës, deri në muajin tetor, që është planifikuar të kryhet ky proces”.

Edhe drejtoresha e Insitutitit të Shëndetit Publik Albana Fico, tha se në këtë proces po përdoren lëndë që nuk cenojnë habitatin natyror dhe është përfshirë një sipërfaqe e konsiderueshne.

“Eshtë dhe një volum shumë i madh pune, kryhet në rreth 4 mijë hektarë gjatë kësaj periudhe dhe së dyti nuk duhet të harrojmë që duhet kombinuar me rregulla higjieno-sanitare përgjatë vijave bregdetare nga bizneset dhe nga qytetarët. Duhet thënë që lëndët që ne përdorim nuk e cenojnë ambientin, pra e ruajnë ambientin, habitatin. Sepse është shumë e rëndësishme që jo vetëm të luftojmë mushkonjat, por të mos dëmtojmë speciet e tjera, të cilat janë pjesë e këtij habitati”.

Programi i dezinsektimit (për parandalimin e sëmundjeve të transmetueshme nga mushkonjat) po vijon në të gjitha zonat e përcaktuara nga ekspertët e shëndetit publik. Deri tani janë kryer trajtime sipas gjetjeve të  monitorimit paraprak nga entomologet e ISHP, sipas kërkesave të NJVKSH-ve. Zonat e njohura për këto trajtime, nga Velipoja në Parkun Kombëtar të Butrintit, përfshirë dhe zona urbane si Tirana, Divjaka etj, përbëjnë një sipërfaqe rreth 4000 ha.

Deri tani janë kryer trajtimet e para në zonën e Kavajës, plazhi Golem –Qerret, plazhin e Spillesë, në Durrës, Shën Pjetër, Gjirin e Lalzit, në Divjakë qytet dhe plazhin e Divjakës, në zonën e Vlorës, plazhin e Nartës, Zvërnecit, Rradhimë, Lagunën e Orikumit,  Himarë, Qeparo, Borsh,  Çukë, Parkun Kombëtar të Butrintit, është trajtuar Tirana zonë urbane dhe aktualisht po vijon trajtimi në qarkun e Lezhës dhe më pas në Shkodër.