Dritë në fund të tunelit, Pipero: Situata optimiste, drejt fundit të pandemisë

Stina e verës fillon me një përmirësim të ndjeshëm të situatës nga pandemia. Për mjekët, tregues kryesor janë shifrat e ulura të shtrimeve në spital dhe humbjet e jetës. Infeksionisti Pellumb Pipero thotë për A2 CNN se prej 5 ditësh në spitalin Covid 1 nuk ka shtrime të reja dhe as pacientë të intubuar. Aktualisht ndodhen të shtruar 16 pacientë, mes tyre dhe mosha të reja.

Doktor Pipero shprehet optimist për të ardhmen dhe se sipas tij po shkojmë drejt fundit të pandemisë. Referuar numrit të lartë të personave që e kanë kaluar koronavirusin si dhe të të vaksinuarve, për infeksionistin Pipero stina e verës do të jetë e qetë në lidhje me pandeminë.

Megjithatë mjeku i spitalit Covid 1 tërheq vëmendjen për respektimin e masave veçanërisht në ambiente të mbylluara, pasi virusi është ende mes nesh.