Ekzekutohet në Tepelenë biznesmeni 52-vjeçar, i përfshirë dhe më parë në konflikt

Cajup selimi 1100x620

Një 52-vjeçar ka mbetur i vrarë mbrëmjen e sotme në Tepelenë. Bëhet fjalë për Çajup Selimin, me origjinë nga fshati Bënçë, i cili është qëlluar me armë zjarri para pallatit të tij, në lagjen “15 Shtatori”, në Tepelenë.

Policia njofton se ai ka humbur jetën në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, si pasojë e plagëve të marra.

Mësohet se viktima ka patur një biznes me materiale ndërtimi tek “Agjencia” e këtij qyteti.

Në korrik të 2018, Çajup Selimi është paraqitur në Spitalin e Gjirokastrës si pasojë e plagëve të marra, pasi është goditur me mjete të forta nga 2 persona në qendër të qytetit të Tepelenës. Selimi tregonte se e kishin sulmuar me leva hekuri dhe e kishin kërcënuar me thika e goditur me grushta, për arsye të paqarta.

Çajup Selimi dhe të afërmit e tij thoshin se kjo është një situatë e përsëritur, pasi ishte hera e katërt që ai sulmohej në një mjedis publik, por në asnjë rast nuk kishte patur të ndaluar.

Për ngjarjen në fjalë, në vitin 2018 u ndalua Risiano Abedini, 27 vjeç nga Tepelena. Policia konfirmoi në atë kohë se ngjarja ndodhi për motive të dobëta.

Familja Selimi dhe Abedini menaxhojnë biznese me profil të ngjashëm. Të dyja palët janë konkurrentë, pasi tregtojnë materiale ndërtimi krah njëri-tjetrit prej vitesh në Tepelenë.

Tepelenë/Informacion paraprak.

Rreth orës 21:15 në qytetin Tepelenës, në  lagjen “15 Shtatori”, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi Ç.S., 52 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Gjirokastër si pasojë  e plagëve të marra.

Menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe Forcat Shqiponja të DVP Gjirokastër kanë shkuar në vendngjarje dhe po krehin zonën për kapjen e autorit.

Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit Tepelenë.

Grupi hetimor  nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.