Financat vendore, bashkitë e vogla më në vështirësi

Një problem i nxjerrë më shumë në pah gjatë pandemisë, por jo një problem i ri, është ai i vështirësive financiare të shumë bashkive, sipas ekspertes Merita Toska.

Sipas Toskës, bashkitë nuk kanë të njëjtat kapacitete financiare, duke veçuar bashkinë e Tiranës, nga bashkitë e mëdha që kanë burime deri diku të mjaftueshme për të ushtruar kompetencat e tyre, dhe bashkitë e tjera që e kanë të pamundur të ushtrojnë 40 funksione të ngarkuara nga reforma administrative territoriale.

Sipas Toskës nevojitet një vlerësim i kapacitetit fiskal të çdo bashkie dhe ndërtimi i një sistemi transfertash nga buxheti për të kompensuar nevojat e bashkive me burime të kufizuara.

Në të kundërt, numri i bashkive në vështirë serioze financiare rrezikon të rritet. Aktualisht, në dy bashki: Kavajë dhe Roskovec, totali i borxheve dhe detyrimeve të prapambetura llogaritet në mbi 80% të shpenzimeve vjetore; ndërsa në Bashkinë Vorë këto borxhe janë sa dyfishi i buxhetit vjetor, duke e klasifikuar madje në rangun e paaftësisë paguese.