Hetimi për korrupsion e pastrim parash, Apeli i Posaçëm s’lejon Priftin të hyjë në sallë operacioni

Kardiokirurgu Edvin Prifti nuk do të mundet të futet në sallën e operacionit në QSUT edhe për të paktën 3 muaj të tjerë. Gjykata e Posaçme e Apelit nuk pranoi kërkesën e Priftit për shfuqizim të masës së “pezullimit nga detyra” dhënë për të më herët nga Shkalla e Parë. Prifti po hetohet nga SPAK për “korrupsion” dhe “pastrim parash”.

Dyshimet ndaj tij u ngritën prej përgjimeve të Prokurorisë së Posaçme, për llogari të një skeme korrupsioni në Gjykatën e Krujës. Përmes avokatit Prifti i kërkoi Apelit të interpretonte nëse masa e pezullimit nga detyra i pengonte ushtrimin e detyrës vetëm në spitalin shtetëror, apo edhe në spitalet private ku ishte i angazhuar.

Gjykata nuk u shpreh për kërkesën, duke rezervuar të drejtën për ta sqaruar këtë moment në vendimin e arsyetuar. Teksa po hetohet nga SPAK, mjekut Prift i janë sekuestruar një total prej gati 1 milion euro. Pas dyshimeve për “korrupsion” në shkurt 2021, atij iu gjetën në shtëpi dhe makinë afro 300 mijë euro, ndërsa pas disa muajve hetim, në 14 maj, SPAK urdhëroi sekuestrimin e gati 600 mijë eurove të tjera në disa llogari bankare të tij.

Këtë të hënë, Apeli i Posaçëm la në fuqi masën e “arrestit në burg” për kryesekretaren e Gjykatës së Krujës të dyshuar për “korrupsion”, Manuela Mallkuçi. Në të njëjtën gjykatë ka “trokitur” për të disatën herë edhe gjyqtarja e pezulluar e Krujës, Enkeleda Hoxha, e cila kërkon të lirohet nga qelia. Ankimi i saj pritet të shqyrtohet në ditët në vijim.