Kalemaj: Shengeni Ballkanik, vijues i projekteve të mëparshme të Beogradit

Politologu Ilir Kalemaj u shpreh në studion e “Absolut 4” në A2 se “Shengeni Ballkanik ishte vijues i disa projekteve të tjera të mëparshme të Beogradit”.

“Projekti i Shengenit Ballkanik, pavarësisht se ishte kryeministri Edi Rama ai që foli në emër të 3 liderëve, ishte një projekt i dalë nga Beogradi, vijues i disa projekteve të tjera të mëparshme të Beogradit. Këto vende kanë aktualisht bashkëpunim, janë pjesë të CEFTA-s për shembull. Jemi gjithashtu edhe pjesë e Kartës së Adriatikut. Nuk ka asgjë të keqe bashkëpunimi mes vendeve të rajonit, por Djalli fshihet në detaje dhe ata që i propozojnë këto plane kanë edhe pjesën e padukshme të agjendës, ndërsa ne jemi të papërgatitur gjithmonë. Nuk është menduar se çfarë do të sillte vlerë të shtuar për ne Shengeni Ballkanik”, deklaroi Kalemaj.

Sa i përket procesit të Berlinit, Kalemaj theksoi: “Nisi me shumë entuziazëm, me disa samite të rëndësishme. Por, për hir të së vërtetës, Shqipëria ishte e fundit sa i përket pjesëmarrjes në projekte sepse nuk kemi kapacitete për të thithur projekte. Edhe Bosnja që ka shumë probleme, jo për fajin e saj, ka përfituar më shumë projekte”.

Sipas politologut Kalemaj, “Bashkimi Evropian, për shkak të problematikave që ka, ka ndryshuar shpesh rregullat e lojës, sidomos me politikat e zgjerimit”.