Kapen me 4,6 kilogramë tritol, policia publikon pamje nga arrestimi i 3 personave

Tre persona janë vënë në pranga nga policia në Durrës, pasi janë kapur me 4,6 kg lëndë eksplozive tritol dhe C-4, një kallashnikov, municion luftarak, granata dore dhe kapsolla detonatore.

Sipas policisë, personat e arrestuar janë shtetasit: B. F., 42 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhja”; A. Gj., 33 vjeç dhe J. F., 33 vjeç, banues në Tiranë.

“Pas një hetimi njëmujor u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë kriminale të kryer nga këta shtetas në fushën e trafikimit të armëve, lëndëve eksplozive dhe municioneve, në qytetet e Tiranës dhe Durrësit.

Bazuar në këto prova, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Shkozetit”, Durrës, në kuadër të operacionit “Binomi”, u bë kapja dhe arrestimi i këtyre personave. Gjatë kontrollit në automjetin   tip “Land-Rover Frilander”, me drejtues shtetasin J. F. dhe pasagjerë shtetasit B. F. dhe A. Gj., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale:

• 1.2 kg eksploziv i paketuar i dyshuar i llojit C-4;

• 2.2 kg lëndë eksplozive e dyshuar tritol;

• 3 granata dore luftarake;

• 4 aparate telefoni celular.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti tip “Land-Rover Frilander”.

Po në funksion të procedimit penal të nisur një muaj më parë për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar edhe një armë zjarri kallashnikov dhe 1.2 kg lëndë eksplozive tritol, 5 kapsolla detonatore dhe një sasi municioni luftarak”, bën të ditur policia.