Kriminaliteti gjatë pandemisë, gjirokastritët më të inkriminuar, dibranët respektojnë më shumë ligjin

Gjatë vitit 2020 nuk pësoi rënie vetëm ekonomia, por edhe kriminaliteti. Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, prezantoi në Komisionin e Ligjeve raportin mbi gjendjen e kriminalitetit në vend për vitin 2020, duke nënvizuar se krime ka pasur më pak, por jo si meritë organeve ligjzbatuese.

“Ka patur një ulje të kriminalitetit por kjo besoj ka ardhur për shkak të pandemisë”, deklaroi Prokurori i Përgjithshëm.  

Ndryshe nga sa pritej, të dhënat e kryeprokurorit treguan se kriminaliteti ishte shtrirë në qarkun me popullsinë më të ulët në vend e jo në zona si Elbasani, Durrësi e Vlora të cilat në pak kohë më parë kanë pushtuar lajmet e kronikës së zezë.

“Qarku me kriminalitetin më të lartë dhe me rritjen më të madhe është Gjirokastra. Dibra me nivelin më të ulët” zbuloi Çela.

Kryeprokurori nuk e humbi mundësinë për të kërkuar më shumë kompetenca përpara deputetëve “Është një nga propozimet që i kemi bërë parlamentit. Do të duhej një rritje e rolit të prokurorit të përgjithshëm në vlerësimin e performancës duke ndërtuar një sistem të qartë të llogaridhënies së drejtuesve ndaj prokurorit të përgjithshëm”, tha ai.

Puna e Prokurorit të Përgjithshëm për vitin 2020 mori vlerësimin moral por jo atë legjislativ për t’i plotësuar kërkesën e rritjes së kompetencave.