Pas një viti të vështirë, vera nis zyrtarisht me masa të lehtësuara

Një qershori i një viti më parë nuk ishte si të tjerët. Pandemia e koronavirusit ishte në fillimet e saj. Pas disa muajsh karantine, iu rikthyem jetës me rregulla dhe masa të kushtëzuara nga virusi në qarkullim. Fëmijët ishin ndër të parët që prekën normalitetin e ri, në kopshtet dhe çerdhet e rihapura pas izolimit.

Me fillimin e normalitetit të ri nga pandemia po rriteshin dhe infektimet. Vera e 2020 ishte më e qetë dhe askush nuk e dinte çfarë na priste në dimër. Vala e parë dhe më madhe e infektimeve u shënua në fund të vjeshtës në fillim të dimrit. Nga spitalet Covid raportoheshin gjithnjë e më shumë humbje jete. Vetëm në muajt nëntor –dhjetor humbën jetën nga Covid-19, 672 pacientë. Me fillimin e vitit të ri, shumë shpresuan se virusi u largua, u neglizhuan masat dhe rregullat anti-covid, duke iu kthyer grumbullimeve dhe festimeve.

Në muajt e parë të 2021 krahas variantit klasik të Covid-19, po qarkullonte dhe mutacioni britanik, me infektues dhe më agresiv.  Rastet e para u konfirmuan vetëm në muajin mars.

Vala e dytë dhe më agresive e koronavirusit u regjistrua në muajt shkurt –mars. Spitale COVID  u hapën 6, përfshirë edhe shërbimet në rrethe, ndërsa vdekjet ditore arritën me dyshifra.

Vetëm në këta dy muaj zyrtarisht humbën jetën 855 persona. Në fund të marsit Shqipëria nis vaksinimin masiv të popullsisë mbi 70 vjeç. Fillimisht me vaksina të dhuruara nga vendet mike, për të vijuar me doza të tjera të siguruara përmes kontratave me kompanitë prodhuese.

Deri tani janë vaksinuar mbi 770 mijë persona, kryesisht me vaksinën kineze, me vaksinën  AstraZeneca, me rusen Sputnik V dhe me pak me Pfizer.

Brenda qershorit është premtuar vaksinimi i 1 milion shqiptarëve. Pas 1 viti të vështirë nga pandemia, ky 1 qershor shënon një situatë më të përmirësuar dhe zyrtarisht me masa më të lehtësuara. 

Maska nuk është më e detyrueshme në ambiente të hapura, ndërsa lëvizja e qytetarëve dhe funksionimi i lokaleve lejohet deri në orën 23:00 të mbrëmjes.