“Prishni e pastroni vetë çka keni ndërtuar pa leje”, Rama njofton nisjen e operacionit “Bregdeti Ynë”

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se javën e ardhshme forcat e Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit Kombëtar të Territorit do të nisin operacionin “Bregdeti Ynë”, për të prishur çdo ndërtim pa leje dhe për të çuar përpara drejtësisë çdo shkelës të ligjit, nga investitorët deri te radhët e policisë.

Nga Shëngjini, kreu i qeverisë apeloi që shkelësit e ligjit t’i prishin dhe t’i pastrojnë vetë çka kanë ndërtuar pa leje, sepse kur të përballen me forcën e operacionit, do të jetë shumë vonë.

“Javën e ardhshme forcat e Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit Kombëtar të Territorit do të nisin operacionin “Bregdeti Ynë”, për të fshirë nga harta e pasurisë më të madhe të popullit shqiptar çdo ndërtim pa leje, duke nisur me ato që janë në proces në thyerje flagrante të Kodit Penal dhe për të çuar përpara drejtësisë çdo shkelës të ligjit (qoftë në krejt zinxhirin e ndërtimit nga investitorët deri te punonjësit e kantiereve, e qoftë në radhët e vetë policisë, nga shefa e deri te punonjës, që me veprimet a mosveprimet e tyre kanë lejuar shkeljen e ligjit)

Pastrimi i gjithë bregdetit për të vijuar më pas me zonat e mbrojtura e akset kombëtare, do të vazhdojë pa u ndalur deri në goditjen e fundit👊Apeli për shkelësit është i thjeshtë: Prishni e pastroni vetë çka keni ndërtuar pa leje në dëm të pasurisë së popullit, sepse kur të përballeni me forcën e operacionit “Bregdeti Ynë”, do të jetë shumë vonë për ju👎#SkaKohëPërPushim🏃🏻‍♂️“, shkruan Rama.