SHBA dhe BE në Kosovë, Franko Egro: Vuçiç para presionit nëse do të zgjedhë BE, apo Rusinë dhe Kinën

Vizita e dy përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE-së në Kosovë është në funksion të zgjidhjes së situatës në Ballkanin Perëndimor. Kështu u shpreh në studion e “Absolut 4” gazetari Franko Egro, teksa komentoi zhvillimet më të fundit në rajon. Sipas tij kjo qasje e re dhe angazhimi i diplomacive perëndimore do të ushtrojnë presion për zgjidhjen e situatës Kosovë-Serbi dhe presidenti Vuçiç do të ndodhet para trysnisë për të zgjedhur nëse do të qëndrojë në BE apo do të luajë me Kinën dhe Rusinë

“Duket që dy motorët e diplomacive kanë filluar të angazhohen në funksion të zgjidhjes për Ballkanin Perëndimor. Kjo qasje e re do të ushtrojë presion për zgjidhjen e situatës Kosovë serbi dhe Vuçiç do ndodhet në trysni për të ndarë mendjen përfundimisht se nuk luhet me dy apo tre porta, do të jetë në BE apo do luajë me Rusinë dhe Kinën që po ndërhyjnë fort në jetën e Serbisë. Prezenca e të dërguarit amerikan e ka caktuar të kujdeset për Ballkanin Perëndimor”.

Për Egron mesazhet e dy emisarëve në Kosovë janë shumë të rëndësishme çka tregon se ata janë bashkëpunëtorë për zgjidhjen e problemeve në Ballkan.

“Më shumë duhet analizuar simbolika e kësaj vizite dyshe sesa mesazhet që thanë nëse zbërthejmë mesazhet e Palmer ai tha që nuk jemi protagonistë, por bashkëpunëtorë për zgjidhjen e problematikave në Ballkan. Deri tani kemi pasur situatë të paqartë për pozicionin e  SHBA gjatë presidencës Obama. Patëm një prezencë letargjike në rajon në dyvjeçarin e administratës Trump, neglizhencë dhe u aktivizua dy vitet e fundit që nxori jashtë loje DASH dhe  Brukselin dhe komunikonte me shefat e kabinetit të Berlinit dhe Parisit. Për herë të parë dy emisarë të rëndësishëm qëndrojnë në Prishtinë dhe jam i bindur që Lajcak e ka të qartë që pa prezencën e SHBA është e vështirë që politika e Kosovës t’i thotë po çdo lloj presioni”.

Egro thekson se me ardhjen në pushtet të Biden ka ndryshuar edhe qasja për Ballkanin dhe  raportet transatlantike

“Me ardhjen në pushtet të Biden dhe ndërrimin e administratës ka filluar një qasje tjetër në raportet transatlantike, ndërkohë që në administratën Trump ishte shumë problematike dhe u largua nga kjo qasje. Gjatë këtij muaji Biden do të vijë në Ballkan ,ka takim të G7 dhe do takohet me Putin në Gjeneve çka do të thotë që fuqia amerikane në Europë është e destinuar të mbështetet edhe te Brukseli jo në shtete individuale”.