Takimi i ministrave të NATO-s: Gati për dialog me Rusinë, por gjithçka varet nga Moska

NATO është gati për dialog me Rusinë, por topi është në fushën e Moskës, sipas ministrit të Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

“Mesazhi ynë mbetet i qartë. Ne jemi të gatshëm për dialog dhe kemi bërë propozimet tona, por çelësin drejt një marrëdhënie më të mirë e ka Moska.”

Aleanca ka sugjeruar vazhdimisht rinisje të takimeve në kornizën e këshillit Nato-Rusi. Organizmi u krijua në 2002-shin për të lehtësuar konsultimet mes aleancës ushtarake perëndimore dhe Moskës, por marrëdhëniet janë krisur dhe këshilli i fundit u mbajt në korrik të 2019-s.

Gjermania refuzoi të martën thirrjen për të furnizuar Kievin me armë pasi presidenti ukrainas i kërkoi Berlinit armë sulmi, pajisje komunikimi dhe mjete të blinduara.

“Jam i bindur se konflikti mund të zgjidhet vetëm me mjete politike. Kjo do të mbetet udhëzues për angahzimin tonë në Ukrainë dhe nuk ka ndryshim; dërgesat e armëve nuk ndihmojnë.”

Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes së NATO-s hvilluan një takim virtual të martën, në ditën kur aleanca i mohoi qasjen në selinë e saj një grupi zyrtarësh bjellorusë. Vendimi vjen pas ndërhyrjes së fundit të Minskut, për devijimin e një avionit të Ryanair, me qëllim arrestimin e një gazetari disident.