Antonio Conte shumë afër ekipit anglez, përballje me Mourinhon në Tiranë?

Conference conte Mou 1100x620

Nuk mund të rrijë pa një stol, Antonio Conte. Ish-trajneri i Interit, që dominoi kampionatin italian në sezonin që sapo mbaroi, po shijon pushimet në Pulian e vendlindjes, por gjasat që ato të jenë të gjata janë shumë të pakta.

Sipas informacioneve që po qarkullojnë gjithmonë e më shumë gjatë ditës së sotme, tekniku italian është objektivi numër 1 për Tottenham. Ekipi londinez ka qenë protagonist i një kampionati mediokër, i eliminuar nga Dinamo i Zagrebit në Europa League dhe vetëm në vendin e shtatë në Premier League.

Anglezët janë të gatshëm të “mbulojnë” me sterlina Conten, i cili ka marrë një shumë të majme nga drejtuesit kinez të Interit për të ndërprerë kontratën.

Në 2017, Conte arriti në vitin e parë me Chelsea të fitojë titullin anglez, por misioni me Tottenham,  mund të jetë shumë më i vështirë. Gjasat janë që ekipit t’i largohet edhe ylli Harry Cane, që lakmohet nga City i Guardiolës, edhe pse në këmbim mund të vinin “pesha të rënda” si  Raheem Sterling dhe Gabriel Jesus.  

 Një gjë është e sigurt, në qoftë se lajmi zyrtarizohet, Conte mund të ndeshej në finale me ish-trajnerin e Tottenham Jose Mourinho në Conference League, ku do të marrë pjesë edhe Roma. Një përballje Conte-Mourinho do të ishte finalja e ëndrrave në Arenën Kombëtare të Tiranës.