“Bashkëpunimi me PD pa kushte”, Balla: Letër e bardhë ku mund të propozojnë çështjet

2 QERSHOR 2021 TAULANT BALLA frame 6597 1100x620

Partia Socialiste do të vazhdojë të mbajë dorën e shtrirë dhe të pakushtëzuar sa i takon bashkëpunimit me Partinë Demokratike, pavarësisht refuzimit që i ka bërë kryetari në detyrë Lulzim Basha kësaj ftese. Kështu u shpreh kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla pas mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, i pyetur nga gazetarët. Sipas tij ka ardhur koha për të lënë mënjanë pakënaqësitë dhe alibitë e rezultatit elektoral dhe çdokush të shndërrojë mandatin e tij në shërbim të atyre që e kanë votuar.

“Ne vazhdojmë ta mbajmë dorën e shtrirë edhe dëshirën tonë të pakushtëzuar për t’u ulur me PD sapo të fillojë legjislatura e re, pas këtyre zgjedhjeve në PD kushdo që do të jetë kryetar. Ajo që presin qytetarët prej nesh, t’i japim fund kësaj sherrnaje, po të punojmë për reformat që kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament të cilën ne nuk e kemi.  Është koha e duhur për të lënë mënjanë pakënaqësitë dhe alibitë e rezultatit elektoral, por të shohim si secili ta shndërrojë mandatin e tij në shërbim të atyre që e kanë votuar. Në 25 prill ka një pakicë që ka votuar PD dhe ata shqiptarë që e kanë votuar presin që ata t’i shërbejnë interesave të Shqipërisë sesa interesave të kryetarit të PD. Rama ka qenë i qartë që kur flasim pa kushte është një letër e bardhë ku mund të propozojnë çështjet që ata duhet të diskutojnë”.

Sipas Ballës përpara është një shans që nuk duhet humbur, pasi më 9 shtator në kuvendin e ri duhet të diskutohen çështje të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar, si reforma zgjedhore.

“Ka ardhur koha e maturimit politik, është koha të gjejmë mundësinë pas 9 shtatorit në kuvend të fillojmë të diskutojmë, kemi çështje për reformën zgjedhore, një komision i posaçëm do vijojë punën aty ku është lënë dhe çështje që nuk patëm mundësi t’i adresojmë. Kemi përpara një shans që nuk duhet ta humbim”.