Kurti: Takohem për herë të parë me Vucic për kapitullin e ri, s’është vazhdimësi e dialogut të vjetër

Pas ndërkombëtarëve, konsultat vijuan edhe mes drejtuesve të Kosovës. Kryeministri, Albin Kurti, u prit në zyrë nga presidentja, Vjosa Osmani, për të diskutuar datën e zgjedhjeve lokale, por pjesë e bisedës ishte dhe dialogu me Serbinë.

 “Takimi në Bruksel nuk është vazhdimi dialogut, por është takim i parë, ku për herë të parë do ta kem përballë presidentin e Serbisë, me të cilin nuk jam takuar asnjëherë në jetë, nëse përjashtojmë tryezën me mbi 30 veta në shkurt 2020 në Munih të Gjermanisë. Ky është takim i parë dhe aty mund të shohim çfarë mund të ketë kapitulli i ardhshëm i dialogut. Është takim për dialogun e ardhshëm, nuk është vazhdim i dialogut të mëhershëm”, theksoi kryeministri kosovar.

Kjo temë do të diskutohet edhe në Kuvend, përpara se Kurti të udhëtojë për në Bruksel. “Do të kemi edhe një diskutim në Kuvendin e Republikës lidhur me gjendjen e deritanishme të dialogut të kaluar, sepse duhet të shohim ku ndodhemi sa i përket marrëveshjeve të dikurshme, zbatimit dhe ndikimit të tyre”.

Më herët kryeministri Kurti nënvizoi se dialogu me Serbinë duhet të jetë parimor, ndërsa për asociacionin e komunave serbe në Kosovë tha se nuk mund të ketë bashkësi mono-etnike në vend pasi nuk e lejon kushtetuta.