Lajçak përfundon vizitën në Kosovë, takimet i konsideron konstruktive, dialogu rinis këtë muaj

lajcak 1100x620

Miroslav Lajçak përmbylli vizitën dy ditore në Kosovë me mesazhe pozitive. I emëruari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun konfirmoi se bisedimet Prishtinë-Beograd rinisin këtë muaj në Bruksel, por një datë ekzakte nuk përcaktoi.

“Vizita ime në Kosovë ishte një vizitë produktive me qëllimin kryesor për të siguruar përgatitjen sa më të mirë të takimit të liderëve në Bruksel më vonë gjatë qershorit”, tha Lajçak.

Gjatë vizitës në Kosovë, atij iu bashkua dhe i emëruari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Ky i fundit refuzoi përfshirjen zyrtare të Amerikës në dialog pavarësisht kërkesave të shumta të opozitës. Ndërkohë, pas Kosovës, Lajçak do të vizitojë dhe Serbinë, ku do të takohet me krerët e shtetit. Nga aty pritet të bëhet e ditur dhe data e saktë për takimin Kurti-Vuçiç.