Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

PS ngre komision për të analizuar 25 prillin në tre faza, Balla: Do të nisim fushatën më të madhe të hapjes

Nga A2 CNN
2 Qershor 2021, 18:33 | Politikë
PS ngre komision për të analizuar 25 prillin në tre faza, Balla:

Partia Socialiste do të analizojë procesin e zgjedhjeve të 25 prillit, që do të shërbejë për t'u përgatitur edhe për zgjedhjet lokale. Asambleja e Partisë Socialiste miratoi vendimin për zhvillimin e analizës së rezultateve në zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2021, e cila do të kalojë në tri faza përmes një komisionit të posaçëm. Brenda fazës së parë do të zgjidhen edhe bashkë-drejtuesit e rinj të organizatave socialiste. Procesi do të nisë në 15 qershor 2021 deri në 15 janar 2022 në çdo nivel të partisë.

“Faza e parë: Analizat për rezultatet e zgjedhjeve në OS të zhvillohen në periudhën 15 Qershor – 15 Nëntor 2021. Brenda kësaj faze do të zgjidhen edhe bashkë-drejtuesit e rinj të organizatave socialiste.

Faza e dytë: Analizat për rezultatet e zgjedhjeve në Këshillat Socialiste të Njësive Administrative (KS të NJA) të zhvillohen në periudhën 15 Nëntor- 15 Dhjetor 2021.

Faza e tretë: Analizat për rezultatet zgjedhore në AS të bashkive dhe shkallë qarku të zhvillohen në periudhën 15 Dhjetor 2021 – 15 Janar 2022 dhe zgjedhja e kryetarëve të PS në nivel bashkie.

Komisioni i Posacëm i Analizës, drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët e partisë të bashkive të marrin masat organizative për përgatitjen në kohë dhe ndjekjen e analizave që do të zhvillohen në strukturat vendore të partisë”.

Më herët në fjalën e tij kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh se do të bëhet një analizë të plotë të rezultatit të zgjedhjeve në të gjitha qarqet, ndërsa theksoi nevojën për përmirësimin e përbërjes së strukturës organizative të PS.

“Duhet të mos harrojmë se përmbyllëm një mandat të dytë më të vështirin në këto 30 vite për shkak të tërmetit dhe pandemisë. Kemi të gjithë nderi e të qenit pjesë e kësaj skuadre fituese. Ne do bëjmë një analiza të plotë të rezultati të zgjedhjeve në 6 muajt e ardhshëm për çdo qark. Ne do të kishim 78 mandate nëse nuk do kishim humbur 4 mandate për shkak të votave të pavlefshme, megjithatë ky është një rezultat shumë i pastër dhe jemi në kohën e duhur për të filluar një analizë në çdo këshill socialist, në çdo bashki dhe qark. Nga kjo analizë ripërtëritje e fuqisë sonë organizative dhe të bëhemi gati për fitoren e zgjedhjeve vendore të viti 2023 dhe ato parlamentare të viti 2025. Në të gjithë qarqet duhet të përmirësojmë përbërjen e strukturës sonë organizative dhe forcimin e organizatave tona socialiste të cilat jo në të gjithë territorin kishin efektivitetin e duhur sipas targetit të vendosur”.

Balla theksoi se PS do të fillojë fushatën më të madhe të hapjes ndonjëherë, ndërsa Kongresi i Jashtëzakonshëm do të mblidhet më 12 qershor.

“Do të thërrasim Kongresin e jashtëzakonshëm për fillimin e një fushate të madhe të hapjes të PS, më të madhen dhe më realen që PS ka ndërmarrë, duke i ofruar mundësi përfshirje të gjithë atyre që duan të bëhen pjesë e strukturave tona vendore. Do të ngremë një komision të posaçëm të analizës që do organizojë  hartojë një raport të plotë të këtij procesi analitik të strukturës së partisë. Përbërja e komisionit do të synojë mbulimin e të gjithë territorit të vendit. Më 12 qershor PS mbush 30 vjeç dhe është dita e duhur për të thirrur Kongresin tonë të jashtëzakonshëm dhe do paraqesim vizionin "Shqipëria" 2030 si dhe angazhimet tona kryesore të programit qeverisës".

A2 CNN Livestream

Dita jonë