Punëtorët e huaj dhe industritë që i duhen Shqipërisë, flasin ekspertët

Deklarata e kryeministrit Rama në lidhje me marrjen e punëtorëve të huaj, kryesisht ngas Bangladeshi, është një lloj reflektimi i ankesës së bërë nga shumë investitorë. Kështu e sheh eksperti për ekonominë Genti Beqiri. Në studion e A2 Business, ai tha se nuk ka punëtorë të kualifikuar sidomos në turizëm dhe bujqësi.

“Ka pakënaqësi ka një numër të madh të huajsh që janë duke punuar dhe duke marrë kontrata pune në këtë sektor dhe kjo do rritet se nuk ka punëtorë të kualifikuar sidomos në turizëm dhe deklarata e kryeministrit është një lloj reflektimi i ankesës që kanë shumë investitorë në bujqësi e turizëm që nuk kanë punëtorë të kualifikuar”.

Ndryshe e shikon eksperti Albert Gajo, i cili ardhjen e punëtorëve sezonalë nga Azia e Afrika e shikon  si një trampolinë të tyre për në vendet e BE-së, pasi Shqipëria nuk ka mundësi të përtithë treg të qëndrueshëm.

“Padyshim që Shqipëria mund të ketë interes për punëtorë provizorë nga Bangladeshi apo Azia, por jo gjatë për trampolinë për të kaluar në Evropë dhe për të gjetur mundësi për të ikur në vendet e BE. Do të jetë një fuqi që nuk do qëndrojë stabël por jo si mundësi që mund të përthithë Shqipëria për një treg pune sezonale. Nuk e shoh si lulëzim të biznesit në Shqipëri”.

Eksperti Majlind Lazimi thekson nevojën e një census kombëtar të burimeve njerëzore dhe kapaciteteve kombëtare që kemi.

“Unë besoj që nuk është në interes të biznesit të tyre që shqiptarët të ikin jashtë dhe të marrin nga vendet e Afrikës, ka dy faktorë që këto njerëz pagat e tyre do t’i kursejnë për t’i çuar në shtëpitë e tyre dhe biznesi shqiptar mbahet mbi konsumin, efektet në ekonomi janë negative më shumë se pozitive. Çështja është tek oferta, unë besoj që kemi nevojë për program kombëtar, census kombëtar nuk dimë sa inxhinierë, avokatë, mjekë kemi. Qeveria të bëjë inventar të burimeve njerëzore. Nëse duam të zhvillojmë industrinë duhet të zhvillojmë shkollat profesionale. Nëse nuk kemi këto kapacitete kostot e trajnimit i merr qeveria shqiptare”.

E pyetur se çfarë industrish i duhen Shqipërisë, drejtuesja e AIDA, Mileva Meksi tha se pandemia na mësoi që fokusi të jetë te bujqësia dhe turizmi.

“Industria automotive që është në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi ka interes në investitorë edhe për Shqipërinë për të plotësuar zinxhirin. Kemi 4-5 kompani që operojnë në industrinë automotive hap vende pune, ka nevojë për infrastrukturë. Industria automotive është ndër prioritetet pandemia na mësoi të fokusohemi tre produktet që kemi ne si vend, të tërheqim investitorë atje ku kemi sikurse bujqësia dhe turizimi si agroturizmi, energjia e rinovueshme”.