Shkarkimi i presidentit, “deputetët e Bashës” në kuvend kundër largimit të Metës

Deputetët opozitarë, Korab Lita dhe Artur Roshi, që më 25 prill u bënë pjesë e listës së Partisë Demokratike, janë kundër nismës për shkarkimin e presidentit të republikës. Të kontaktuar nga A2, pohuan se nuk gjejnë shkelje në veprimet dhe deklaratat e Ilir Metës.

“Nuk gjej arsye që të shoh që të jetë shkelur kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Me vendosjen kundër mazhorancës ka rivendosur balancat”, tha Roshi.

“Ky parlament nuk ka legjitimitet të punojë përderisa kemi një parlament tjetër të zgjedhur. Kushtetua e thotë shumë qartë se kur mund të mblidhet parlamenti i vjetër ndërkohë që është zgjedhur i riu”, u shpreh Lita.

Në pritje të konstituimit të parlamentit të ri deputeti Lita ka vendosur që të mbyllë para kohe marrëdhëniet me aktualin duke deklaruar mospjesëmarrjen në seancën e 9 qershorit kur pritet të votohet raporti i komisionit hetimor për shkarkimin e Metës.

“Unë nuk do të marr pjesë në seancë. Që nga data që jam futur në listën e kandidateve te PD nuk kam marr pjesë në seancë”, tha Lita.

Ndërsa Artur Roshi shpjegon përse ka vendosur të marrë pjesë në seancë. “Do marr pjesë në seancë dhe votën time do ta argumentoj”, tha Artur Roshi.

Në të njëjtën linjë me dy kolegët është edhe deputetja Elda Hoti, e cila gjithashtu garoi me demokratët më 25 prill. Ajo konfirmoi për A2 votën kundër shkarkimit të presidentit.