Skandali me videot e TikTok, ILD kërkon shkarkimin e gjyqtares Kapedani

KR SHKELJET E KAPEDANIT frame 647 1100x620 1 1100x620

Pas skandalit me videot në TikTok të kryegjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë i kërkoi Këshillit të Lartë Gjyqësor shkarkimin nga detyra të kësaj gjyqtareje për shkelje të rënda.

Në arsyetimin e kreut të ILD shkruhet se gjyqtarja Kapedani ka diskretituar rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit dhe për këtë arsye duhet të largohet nga detyra.

“Kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë krijon bindjen se burimi i informacionit ose ankesa është e besueshme, brenda 3 ditëve nga marrja e ankesës ose nga momenti që ka marrë dijeni për shkeljen e pretenduar, i paraqet Këshillit përkatës raport të arsyetuar, bazuar në faktet dhe provat e mbledhura deri në atë moment për fillimin e një procedimi disiplinor dhe kërkesën për pezullimin e magjistratit nga detyra”, shkruhet në njoftimin e ILD.

Mënyra si duhet të sillen gjyqtarët brenda dhe jashtë sallës së gjyqit, është formalizuar në një Kod të Etikës Gjyqësore, i miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësore në prill të vitit 2021. Pjesë e tij është edhe parimi i sjelljes së hijshme dhe me vetëpërmbajtje.

Përmes tij gjyqtarëve iu kërkohet të shmangin sjelljet e pahijshme dhe shfaqjen e saj në të gjitha aktivitetet e tyre jetësore. Referuar përmbajtjes së videove të kryegjyqtares së Elbasanit, në rast se janë publikuar prej saj, duhet se janë cenuar së paku dy nga pikat e parimit që kornizon sjelljen e gjyqtarëve.

Në pikën e tretë të këtij parimi, Kodi Etik Gjyqësor përcakton se gjyqtari nuk lejon që zyra e tij të përdoret për qëllim të tjera të ndryshme nga ato që lidhen me ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore.

Ndërsa në një pikë tjetër, brenda të njëjtit parim, në Kod nënvizohet se gjyqtari shfaq vetëpërmbajtje në përdorimin e medias dhe rrjeteve sociale.