Biden ndan vaksina për Kosovën, Osmani: Dëshmi e mbështetjes së palëkundur

9563383 011121 cc ap biden 2nd vaccine mon img 1100x620

Presidenti amerikan Joe Biden do t’i dhurojë Kosovës një numër të konsiderueshëm të vaksinave kundër Covid-19, por nuk dihet sesa doza konkretisht. Lajmin e ka dhënë përmes rrjeteve sociale presidentja Vjosa Osmani, e cila shton se Biden iu përgjigj pozitivisht kërkesës së saj për mbështetje në vaksina.

“Më 19 mars 2021, i kam shkruar Presidentit Biden duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 Prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave.  Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës”.

Ndërsa shpreh falënderimet, Osmani thekson se kjo është dëshmi e mbështetjes së palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës.

“Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për Presidentin Biden për këtë gjest bujar dhe për dhurimin e vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës pas kërkesës së adresuar atij në muajin mars. Njoftimi zyrtar i sotëm është tjetër dëshmi e mbështetjes së palëkundur që vendi ynë e gëzon historikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti Biden ka qenë gjithmonë mik i Kosovës dhe ky donacion ilustron kujdesin dhe konsideratën e pakursyer që ai vazhdon të tregojë ndaj popullit tonë.  Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës e falënderoj përzemërsisht”.

Sipas saj Kosova dhe institucionet e saj vazhdojnë të mbeten të palëkundura në orientimin Euro-Atlantik dhe të njëjtën politikë e kanë ndjekur edhe në sigurimin e vaksinave.