Bie numri i emigrantëve që kalojnë në Greqi, meritë edhe e armës që “shurdhon”

Në Greqi, nga viti 2019, numri i emigrantëve të ardhur kryesisht nga Lindja e Mesme ka rënë nga 75 mijë në 15700 në 2020. Një ulje me 78%, ku natyrisht kanë peshë të madhe edhe masat parandaluese të pandemisë, që ka bllokuar rrugët e kalimit të klandestinëve.

Por ka të bëj edhe me një përparim të ndjeshëm të teknologjisë të targetuar për luftën kundër emigracionit klandestin.

Rojet që patrullojnë me blinde kufirin që ndan Greqinë me Turqinë, prej disa kohësh janë të pajisur me një aparaturë që në dukje ka dimensionet e një laptopi, por që është në gjendje të zmbraps cilindo që i del përpara, falë zhurmës që prodhon. Një zhurmë e padurueshme dhe e përqendruar, me forcën e një motori reaktiv.

Bashkimi Europian ka financuar me gati 4 miliardë euro teknologjitë e reja në kuadër të sigurisë dhe parandalimit, ku bën pjesë edhe arma zhurmëbërëse.

Por ka edhe të tjera, të përdorura në  rreth 200 kilometrat e murit të ngritur nga Athina në bashkëpunim me Frontex, që nga agjenci për mbrojtjen e kufijve të BE-së po shndërrohet në një forcë sigurie të mirëfilltë.

Në atë cep të Europës, tashmë përdoren pajisje si vizorë për natën, kamera që shohin me kilometra distancë, sensorë të ndryshëm që analizohen nga një qendër të avancuar të inteligjencës artificiale, ku nuk mungon përdorimi i satelitëve, dronëve, dhe mjeteve nënujorë.