Cilësia arsimore, Universiteti i Tiranës renditet në fund të listës. Mungojnë akreditimet

Maturantët po bëhen gati të aplikojnë për degët universitare, por cilësia arsimore që u ofrohet është mjaft e ulët. Universiteti i Tiranës ka performancën më negative sa i përket cilësisë akademike, në raport me universitetet e rajonit dhe Evropës.

Në një renditje midis universiteteve të Azisë Qendrore dhe Europës Lindore, Univeristeti i Tiranës renditet në vendin e 301 nga 350 universitete. Në fund të listës është edhe në raport me vendet e rajonit, ku kryesojnë universitetet e Serbisë.  

Mungesa e akreditimeve shihet si një nga shkaqet e këtyre rezultateve. Migen Qiraxhi shprehet: “Dështuam të implementonim sistemin e Bolonjës. Studentët tanë që shkojnë në Europë, rishkollohen. Është dije e marrë nul”.

Mungesa e kërkimit shkencor po ashtu është një nga kriteret kryesore që Universiteti i Tiranës nuk përmbush dot. Pedagogia Valbona Nathanaili deklaron: “Fondet për kërkim shkencor kanë qenë zero. Pedagogët ofrojnë ekspertizën e tyre për palë të treta, jo për Universitetin e Tiranës. Është kriter kryesor për ta rankuar më lart”.

Në pikëpyetje është edhe cilësia e universiteteve të rretheve. Studentëve nuk po u ofrohet shërbimi për të cilin paguajnë çdo vit tarifat.

“Duhet të kuptojmë se çfarë ndodh me universitetet e tjera të vendit, kur kemi këto rezultate kaq të dobëta. E kemi vetëm 1% aksesin e studentëve të varfër në universitet, vendet e rajonit punojnë më shumë për këtë kategori”, tha Qiraxhi.

Universiteti i Tiranës klasifikohet te institucionet më të dobëta arsimore në Europë e madje në botë nga organizata Scimago, e cila klasifikon në bazë të disa kritereve të standardizuara. Për vitin 2021, Universiteti i Tiranës klasifikohet në vendin e 851, një zbritje me 155 vende krahasuar me vitin 2015.