“Do të vaksinohen me Pfizer”, Bino: Po hartohet plani për grupmoshat 12-15 vjeç

Edhe Shqipëria po përgatit programin për vaksinimin ndaj koronavirusit të fëmijëve 12 deri në 15 vjeç.

Pas vendimit të Agjencive Rregullatore Europiane dhe amerikane, Komiteti i Ekspertëve në vendin tonë do të diskutojë planin për vaksinimin e kësaj grupmoshe.

Pfizer do të jetë vaksina që do të aplikohet te kjo grupmoshë. “Deri tani, vetëm Pfizer ka marrë aprovimin për aplikimin te fëmijët e moshave 12-15 vjeç. Ka dhe vaksina të tjera që janë duke u studiuar, por Komiteti i Ekspertëve në vendin tonë po shqyrton dosjet në lidhje me Pfizer-in. Vaksinimi i kësaj grupmoshe është një rekomandim që po përpunohet dhe po bëhen planet se si do të zbatohet te fëmijët”, u shpreh për A2 Silva Bino, shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik.

Por, sa zgjat imuniteti i vaksinës ndaj Covid-19? Silva Binos, shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik, thotë se ende nuk ka të dhëna të sakta përtej afatit 6-mujor, kur ka nisur aplikimi i vaksinave.

“Kemi të dhëna që deri 6 muaj kemi një imunitet mjaft të mirë të vaksinës. Duhet të presim nëse ky imunitet do të vazhdojë i tillë brenda vitit apo dhe më pas. Në bazë të studimeve kemi të dhëna që ata që e kanë kaluar Covid-in, kur bëjnë vaksinën kanë një mbrojtje 20 herë më të lartë. Ky është një element i rëndësishëm që mbështet vaksinimin”.

Instituti i Shëndetit Publik po kryen një studim për efikasitetin e vaksinës në personelin shëndetësor, i cili më së shumti është vaksinuar me Pfizer, një pjesë me AstraZeneca dhe një pakicë e mjekëve me vaksinën kineze. Ky studim do të marrë një vit kohë.