Emigrantët e parregullt, fluksi vijon edhe këtë vit, 2407 të kapur në 3 muaj

Tendenca në rritje e emigrantëve të parregullt të kapur në territorin e vendit po vijon edhe këtë vit. Të dhënat nga Drejtoria për Azilin dhe Shtetësinë, tregojnë se në tre muajt e parë, në vend u kapën 2407 refugjatë, nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Prej së paku tre vitesh, Shqipëria po konsiderohet rrugëkalimi, kryesisht për emigrantët nga Siria, Maroku, Afganistani dhe Algjeria, të cilët vijnë nga Greqia përmes Turqisë me synimin për t’u larguar kryesisht në vendet e Bashkimit Europian.

Fluksi përherë e më shumë në rritje, shoqëruar nga rekomandimet e ndërkombëtarëve ndaj qeverisë për të përmirësuar kushtet e pritjes dhe trajtimit të emigrantëve të parregullt bëri që në fillim të shkurtit, Kuvendi të miratonte ligjin e ri për azilin.

Mirëpo edhe këto amendime duket se nuk kanë reflektuar ndryshime thelbësore në menaxhimin e flukseve të parregullta migratore. Nga ana tjetër, në tre muajt e parë të vitit, autoritetet trajtuan vetëm 31 kërkesa për azil.

Xhaho thekson se ndryshimet ligjore, të pashoqëruara nga veprimtari konkrete, nuk reflektojnë ndryshime konkrete në terren. Shumica e emigrantëve të hapur, rezulton ta konsiderojë Shqipërinë si vend transit dhe jo si destinacion përfundimtar. Këtë e konfirmon edhe fakti se gjatë vitit të shkuar në vend u kapën gati 10 mijë emigrantë të parregullt, ndërsa u paraqitën vetëm 3032 kërkesa për azil.