“Ishulli i gjelbër” në Greqi, automjetet elektrike zëvendësojnë ato me karburante fosile

Ishulli i vogël grek i Astypalea priti makinat e para elektrike të mërkurën, në një eksperiment për ta kthyer të gjithë ishullin drejt energjisë së gjelbër e për t’i lënë pas karburantet fosile.

Gjatë një ceremonie në ishullin me 1300 banorë, kryeministri Kyriakos Mitsotakis, tha se synonin shtrirjen e projektit edhe në ishuj apo pjesë të tjera të vendit, si pjesë e programit të qeverisë për rritjen e resurseve të energjisë së rinovueshme.

“Ajo që po bëjmë këtu sot, përfaqëson një hap të vogël, por shumë të rëndësishëm në përpjekjen tonë kolektive për të zgjidhur emergjencën botërore të klimës”, tha ai.

Makinat elektrike do të përdoren nga shërbimet publike, përfshirë policinë, rojet bregdetare dhe autoritetet aeroportuale, me synimin për të zëvendësuar 1500 automjete në ishull. Për banorët e ishullit do të ketë subvencione për të blerë makina elektrike, bicikleta dhe karikues, dhe 200 automjete do të jenë të disponueshme për vendasit dhe turistët për t’i marrë me qera.

Rreth 12 karikues janë instaluar tashmë rreth ishullit dhe 16 të tjerë do të pasojnë. Greqia, e cila është mbështetur te qymyri për dekada, synon të mbyllë të gjitha përvec një prej minierave deri në vitin 2023, si pjesë e përpjekjeve për reduktimin e emetimeve të karbonit me 55% deri në 2030.