“Jemi të njëzëshëm me Kosovën”, Xhaçka: Nuk ka ulje-ngritje mes dy qeverive tona

Kosova është prioritet i qeverisë shqiptare dhe Shqipëria është e njëzëshme për ta përfaqësuar atë ku nuk është. Kështu u shpreh në Absolut 4 ministrja e Jashtme Olta Xhaçka. Ajo tha se mezi pret që të takohet edh me homologen kosovare për të hartuar agjendën e përbashkët të objektivave dhe interesave kombëtare.  

“Kosova është interesi ynë kombëtar dhe gjithnjë e përhershme në veprimtarinë e diplomacisë shqiptare. Kosova ka qenë e përhershme në prioritetet e interesit tonë kombëtar. Kemi qenë të zëshëm për ta përfaqësuar Kosovën dhe atje ku nuk është dhe për të qenë njëzëri me Kosovë.

Me homologen time mbetet ende për t’u takuar dhe do të doja që ky takim të ndodhte sa më shpejt. Kemi pasur disa komunikime zyrtare, por do kisha dëshirë që të takoheshim sa më shpejt për një agjendë të objektivave dhe interesave kombëtare”.

E pyetur nëse ka ulje ngritje mes bashkëpunimit të qeverive të dy shteteve, Xhaçka tha se aspiratat e përbashkëta janë në krye të prioriteteve të punës sonë.

“Nuk di të ketë pasur ulje-ngritje mes bashkëpunimit të dy qeverive tona. Kosova dhe shqiptarët atje janë pjesë e prioritetit kombëtar dhe aspiratat e përbashkëta janë në krye të prioriteteve  të punës sonë”.

Sa i takon dialogut Kosovë-Serbi, numri një i diplomacisë shqiptare, theksoi se ky dialog po asistohet edhe nga BE përpos mbështetjes nga SHBA për të gjetur zgjidhje që njohja e ndërsjellë të ndodhë sa më shpejt. Sipas saj mbyllja e kësaj dosjeje do të sillte më shumë paqe e stabilitet në rajon.

“Në prioritetet e Biden kam parë edhe Ballkanin Perëndimor dhe rikthimi drejt zgjidhjes së disa problematikave që kanë të bëjnë me sigurinë e stabilitetin, është një lajm i mirë dhe që dialogu Kosovë-Serbi e ka mbështetur SHBA, po e mbështet edhe BE përmes Lajçak. Mbyllja e asaj dosjeje do të sillte më shumë paqe, siguri e stabilitet. Dhe ky dialog po asistohet nga BE si dhe SHBA për të gjetur zgjidhje që njohja e ndërsjellë të ndodhë sa më shpejt”.